Punëtorët teknik të shkollave dhe QMF-ve protestojnë para Komunës së Prishtinës

Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat të Kosovës sot do të protestojë para objektit të Komunës së Prishtinës.

Lajme

22/01/2019 07:29

Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat të Kosovës sot me fillim prej orës 11:00 do të protestojë para objektit të Komunës së Prishtinës, në shenjë pakënaqësie me mos pagesën prej katër për qind të rritjes së pagave për punëtorët teknikë të disa shkollave të kryeqytetit, shkruan lajmi.net.

Siç bëhet e ditur nga Sindikata, vendimi ka ardhur pas takimit me punëtorët teknikë  të shkollave “Ismail Qemaili”, “Pjetër Bogdani”, “Eqrem Çabej”, “Naim Frashëri”, “Asim Vokshi”, “Hoxhë Kadri Prishtina”,  “Gjergj Fishta”, “Dardania”, si dhe punëtorët e sigurimit në QMF dhe punëtorët e pastrimit në QMF  të Komunës së Prishtinës, ku temë diskutimi ishte mos pagesa prej  4 për qind, rritja e pagave në sektorin publik nga 1 janari 2018, dhe siç thotë kjo Sindikatë, neglizhenca e Komunës për kthimin e këtyre punëtorëve nën menaxhimin e komunës sipas ligjit për kryeqytetin, i cili është aprovuar vitin e kaluar.

“Ju njoftojmë se ju jeni duke paguar shërbime jashtëligjshëm pasi që nuk keni vendim për privatizimin e këtyre shërbimeve, pra po keqpërdorni paranë publike. Pas shumë diskutimeve u vendos që më 22.01.2019 të protestohet para komune në ora 11:00, në shenjë pakënaqësie për mos realizimin e detyrimeve ndaj këtyre punëtorëve”, thuhet në letrën e Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës dërguar kreut të Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti, drejtorit të Shëndetësisë, Bujar Gashi dhe drejtorit të Arsimit,  Jonuz Salihu. /Lajmi.net/