Punëtorët e Trepçës me këmbëngulje kërkojnë rritje pagash nga shtatori

Rreth 180 minatorë të Trepçës të cilët të hënën gjatë ndërrimit të parë kanë ndërprerë punën në shenjë pakënaqësie me kushtet e punës, dëshmojnë se kjo ndërmarrje ndodhet në një situatë të rëndë financiare dhe serioze.

Lajme

20/07/2015 16:24

Menaxheri i Trepçës, në pjesën jugore, Ahmet Tmava, ka bërë të ditur se duhet ta kuptojnë të gjithë seriozitetin e kësaj situate, me theks statusin e kësaj ndërmarrje.

“Sot për fat të keq punëtorët e ndërrimit të parë nuk kanë hyrë në obligimet rutinë të përditshme ditore, janë mbledhur të gjithë punëtorët dhe kanë kërkuar sqarime rreth procesit të statusit të Trepçës, sepse kanë qenë kërkesa të kahershme, sepse ky status ne kemi raportuar më herët se nuk është i qëndrueshëm në aspektin kohor, dhe duhet marrë me seriozitet të gjerë…. gjendja financiare në Trepçë nuk është korrekte për shkak të situatës në të cilën ka reflektuar mungesa e licencës, sepse ne kemi një prodhim shumë simbolik karshi synimeve që kemi pasur. Për krejt këto janë njoftuar niveli qendror i qeverisë, në mënyrë të elaboru ar janë treguar edhe pasojat por edhe vështirësitë financiare. Në aspektin deklarativ kemi pajtim për përkrahje sepse duhet të tejkalohet kjo gjendje, mirëpo konkretisht nuk ka asgjë… presim reflektim edhe për ligj të Trepçës, por edhe në aspektin e përbashkët financiar, në mënyrë që ta marrim veten, dhe ta kthejmë pastaj me punë, mund dhe angazhim”, ka thënë mes tjerash Tmava.

Ai ka potencuar edhe rritjen e pagave për 10 për qind nga 1 shtatori, si kërkesë të pashmangshme të punëtorëve, por mbi të gjitha marrëveshja e arritur mes Këshillit grevist të mëhershëm dhe qeverisë të hyjë në implementim sa më parë, raporton Kosova Press.

Sipas tij, punëtorët pasi kanë elaboruar kërkesat janë shpërndarë, me shpresën dhe kërkesën e tyre që ndërrimi i dytë të vazhdojë normalisht me punë.