Pulat, peshqit dhe bretkosat, sensorë të besueshëm për tërmete?

Hulumtuesit nga qeveria kineze duket se kanë gjetur metodë interesante për të zbuluar më herët tërmetet që ndodhin në këtë vend.

Fun

06/07/2015 14:57

Ata kanë pranuar se i përdorin pulat, peshqit dhe bretkosat si tregues të tërmeteve, dhe kështu në qendrën sizmologjike të qytetit Nanjing, kanë ndërtuar tri ferma për kafshë që njëherit shërbejnë si stacione sizmike.

Siç është raportuar nga AFP, ajo çfarë e paralajmëron një tërmet është fluturimi i pulave nëpër pemë, kërcimi i peshqve nga uji ose grumbullimi i tyre në grupe.

Autoritetet e qytetit Nanjing, janë duke ndërtuar edhe shtatë ferma tjera për këtë qëllim, derisa fermerët e kësaj zone janë shprehur të gatshëm të përfshihen në këtë aksion, transmeton lajmi.net.

Përdorimi i kafshëve për të parashikuar tërmetet në Kinë nuk përbën lajm, pasi që edhe më herët është shkruar në media rreth përdorimit të qenit për qëllime të njëjta në Nanjing.

Kina është një vend që vazhdimisht preket nga tërmetet, ku disa prej tyre janë aq të fortë sa që shkaktojnë qindra viktima në njerëz. (lajmi.net)