PSD-ja e LVV-ja në ‘luftë’ për Ndërmarrjen Publike Banesore

Partia Socialdemokrate dhe Lëvizja Vetëvendosje i kanë shpallur “luftë” njëra-tjetrës për pozitën e kryeshefit të Ndërmarrjes Publike Banesore. Përfaqësuesit e LVV-së po thonë se kryeshef legjitim i ndërmarrjes është Nexhat Kryeziu, i cili edhe aktualisht është duke menaxhuar atë, ndërsa përfaqësues të PSD-së po thonë se kryeshef të kësaj ndërmarrjeje e kanë emëruar Hajdar Hoxhën, i cili së paku deri më tash nuk ka mundur ta ushtrojë këtë pozitë.

Lajme

07/07/2018 09:34

Dy partitë politike, Partia Socialdemokrate e Kosovës (PSD), e cila drejtohet nga kryetari aktual i Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti, dhe Lëvizja Vetëvendosje e  Albin Kurtit, i kanë shpallur “luftë” njëra-tjetrës për pozitën e kryeshefit të Ndërmarrjes Publike Banesore. Kjo ndërmarrje viteve të kaluara, por edhe sot e kësaj dite, drejtohet nga Nexhat Kryeziu, i cili edhe ka përkrahjen e Lëvizjes Vetëvendosje. Por në anën tjetër përfaqësues të PSD-së thonë se kryeshef i kësaj ndërmarrjeje më nuk është Kryeziu, por Hoxha.

I kontaktuar nga gazeta “Zëri” ky i fundit thotë se atij po i pamundësohet hyrja në NPB.  “Bordit të kaluar i ka skaduar mandati dhe deri më tani nuk ka emërim të ndonjë bordi. Unë me vendimin që posedoj jam u.d. i kryeshefit, mirëpo për funksionin në fjalë nuk po më lejojnë të ushtroj”, ka thënë Hoxha.

Po për këtë gjë janë deklaruar edhe anëtarë të Komisionit të Aksionarëve në NPB. Ata kanë thënë që Hoxha nuk është emëruar në mënyrë të jashtëligjshme, por është me vendim dhe se këtë vendim të tyre ata e kanë dërguar në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik për një opinion ligjor lidhur me vendimin. Ministria lidhur me këtë çështje ka dalë me një opinion ligjor. Në këtë vendim MZHE-ja ka konstatuar se Bordi i Aksionarëve të NPB-së ka të drejtë të marrë vendime për emërimin e drejtorëve.