“Pronto 2” përplas LDK’në e Vetëvendosjen

Afera e videos në të cilën është i përfshirë djali i Isa Mustafës ka përplasur fort në Kuvendin e Kosovës Lëvizjen Vetëvendosje dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës. Glauk Konjufca tha se e trishton fakti që krejt LDK’ja e dinë të vërtetën dhe nuk reagojnë.

Lajme

05/12/2013 10:45

Një përplasje e fortë ndodhi në fillim të seancës së sotme të Kuvendit të Kosovës mes Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje rreth aferës me video në të cilën është i përfshirë djali i ish Kryetarit të Prishtinës, Isa Mustafa.

Nënkryetari i Kuvendi të Kosovës nga radhët e Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, tha se vetë Isa Mustafa përmes një postimi në Facebook e ka pranuar se djali i tij ka qenë i përfshirë në këtë video.

“Para pak ditësh opinioni publik dhe shoqëria jonë u trondit nga një video-incizim, protagonisti kryesor i së cilës ishte djali i të parit të opozitës, Isa Mustafa. Në këtë video shihet qartë djali i kryetarit të deri djeshëm të Prishtinës, në përpjekje për ta korruptuar një aktivist të Vetëvendosjes si dhe familjen e tij”.

“Kjo video shpërfaqi mënyrën e vërtetë të qeverisjes së kryeqytetit nëpërmjet klientielizmit. Kjo tregon se në Kosovë strukturat partiake dhe komunale janë simbolike dhe formale, përderisa grupe të caktuara nepotiste e kriminale të interesit, janë ata që vendosin në të vërtetë”.

“Në njërën anë na paraqiten me petkun e Akademisë e të diturisë, e në anën tjetër qeverisin përmes nëntokës”.

“Kështu u qeveris deri më sot Komuna, e kështu po pretendohet që të qeveriset edhe nesër Kosova”.

“Akademiku Mustafa dje në rrjetet sociale pranoi se djali i tij u përfshi në një skandal korruptiv. Por merreni me mend tha, mos u merrni me familjen time- thuajse kjo është një çështje personale”.

Glauk Konjufca tha se Isa Mustafa po mundohet të thotë që ajo që bëri djali i tij dhe ajo që bën Komuna janë dy gjëra krejtësisht të ndryshme.

“Por, me siguri ai e di frazeologjinë popullore, e cila thotë se: ‘Çka ka shtëpia, e qet fëmija’ dhe se ‘Të vegjlit i hanë mollat por të rriturve u bien dhëmbët’.

Shyqyr që doli kjo video dhe e morëm vesh se sa të njëjta janë dy partitë kryesore politike në Kosovë dhe se sa i kotë është debati kur ato grinden duke na shitur moralitet hipokrit”.

“Ajo që vërtetë më trishton është fakti që të gjithë deputetët që ndodhen në Kuvend nga kjo parti, e dinë të vërtetën, por nuk dëgjova asnjë reagim publik nga asnjëri, thuajse ata pajtohen me këtë realitet dhe jetojnë me të”.

“E kush e çan kokën për dinjitetin njerëzor. Mos qofsha në lëkurën e tyre”.

I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Shefit të Grupit Parlamentar të LDK’së, Ismet Beqiri.

“Ajo që u thanë më herët absolutisht nuk qëndrojnë dhe organet e hetuesisë duhet të thonë fjalën e tyre. Është vërtetë shqetësuese që në këtë vendin tonë demokratik, ka njerëz që manipulojnë me djem të rinj dhe i shtynë që të xhirojnë”.

“Dhe me këtë organet e drejtësisë duhet të merren dhe nuk qëndron kurrfarë afere korruptive, dhe nuk është djali i përfshirë”.

“Unë nuk e mbroj djalin e kryetarit dhe as djalin tim, nëse ka gjëra të tilla. Por, organet e drejtësisë duhet ta thonë, le ta shikojnë mirë këtë video-incizim dhe sigurisht duhet të tregojmë se si është e mundur që një djalë i ri, të shkojë të xhirojë dhe të hy nëpër zyre, ose nëpër kafiteri”.

“Këto nuk janë metoda demokratike, që të përgjohen njerëzit dhe të incizohen njerëzit dhe me i qitë. Por, sidoqoftë organet e drejtësisë le ta thonë fjalën e tyre. E këto janë metoda të cilat i takojnë një sistemi të kaluar”.