Prokuroria thotë se janë zgjidhur rastet e korrupsionit deri më 2010, IKD e mohon

Prokuroria e Shtetit të Kosovës pretendon se është përmbushur synimi të cilin  e kishte vënë kryeprokurori Aleksander Lumezi, për zgjidhjen e të gjitha rasteve të korrupsionit të grumbulluara nga viti 2000-2010, deri në qershor të këtij viti.

Lajme

21/10/2016 15:48

Këtë zotim Lumezi e kishte dhënë në një konferencë për media në muajin prill të vitit 2016, ku kishte prezantuar planin vjetor të punës për vitin 2015.

“Të gjitha lëndët korruptive të cilat kanë ardhur nga viti 2000-2010 do të zgjidhen deri në qershor të këtij viti ndërsa për lëndët që kanë ardhur nga viti 2010 deri në vitin 2014 do të zgjidhen deri në qershor të vitit 2017”, kishte deklarua Lumezi.

Prokuroria e Shtetit në një përgjigjeje për lajmi.net ka thënë se këto raste janë zgjidhur.

“Të gjitha rastet janë zgjidhur”, është thënë nga prokuroria kur është pyetur për këto lëndë.

aleksander-lumezi-650x358

Por, sipas Institutit të Kosovës për  Drejtësisë (IKD),  i cili monitorin punën e gjykatave dhe të prokurorive, thuhet se një zotim i tillë nuk është përmbushur.

Betim Musliu drejtor ekzekutiv në IKD, për lajmi.net ka thënë se në Planin Strategjik dhe Planit e Veprimit për  trajtimin e rasteve të korrupsionit të hartuar nga Këshilli Prokurorial ka qenë obligim zgjidhja e këtyre rasteve, por që deri më 30 qershor 2016, nuk është përmbushur.

“KPK ka miratuar Planin Strategjik dhe Planin e Veprimit për trajtimin e rasteve të korrupsionit dhe bazuar në gjetjet e monitorimit të IKD-së, rezulton se obligimet e Planit të Veprimit nuk janë përmbushur. Një ndër obligimet ka qenë që Prokuroritë deri më 30 qershor 2016 të përfundojnë të gjitha rastet e korrupsionit deri në vitin 2010”, ka thënë Musliu.

Ai ka treguar se nga lëndët e korrupsionit që nga viti 2000-2010, kanë mbetur pa përfunduar edhe 21 raste me 75 persona.

“Bazuar në gjetjet e IKD-së rezulton se më 30 qershor 2016 ky obligim nuk është përmbushur sepse kanë mbetur edhe 21 raste të pazgjidhura me 75 persona. Prej tyre 18 raste të pazgjidhura me 70 persona i takojnë PTh në Prishtinë, 2 raste të pazgjidhura me 4 persona i takojnë PTh në Mitrovicë dhe 1 rast i pazgjidhur me 1 person i takon PTh në Ferizaj”, ka bërë të ditur Musliu për lajmi net.

Betim Musliu

Sipas tij edhe pse në prokuroritë e vendit gjenden një numër i madh i lëndëve ato të korrupsionit duhet trajtuar me prioritet.

Ndryshe lufta kundër korrupsionit në Kosovë është cilësuar si problem serioz për institucionet e vendit. Kosova nga shumë organizata vendore e ndërkombëtare është cilësuar si vend më shkallë të lartë të korrupsionit./ lajmi.net