Projektligji për Buxhetin e vitit 2017 “dridh” koalicionin qeverisës, PDK e pakënaqur
Qeveria e Kosovës ka miratuar sot Projektligjin për Buxhetin e vitit 2017. Buxheti i Kosovës për vitin e ardhshëm u tha se do të jetë 2 miliardë euro.
Lajme
Megjithatë, ekspertë të shumtë thonë se buxheti prej dy miliardësh nuk është real, pasi që është planifikues e jo realizues. Sipas tyre, të hyrat e planifikuara mund të dështojnë, prandaj fryrja e buxhetit më shumë është bërë për efekt politik, sesa është në realitet.
Në anën tjetër, pakënaqësi më ndarjen e buxhetit ka në mesin e zyrtarëve të PDK-së, partnerit të madh të koalicionit qeverisës.
Lajmi.net nga burime brenda PDK-së, mëson se pakënaqësitë janë shprehur në ndarjet që u janë bërë ministrive që udhëhiqen nga kjo parti, pastaj komunave dhe agjencive tjera shtetërore.
“Një ndarje e tillë e buxhetit favorizon ministrinë, komunat dhe agjencitë që udhëhiqen nga LDK-ja. Kjo e dëmton PDK-në në shumë rrafshe, prandaj kemi shprehur pakënaqësi të mëdha”, thonë burime brenda kësaj partie për lajmi.net.
Sipas tyre, kryeministri Isa Mustafa po tregon anshmëri të theksuar dhe kjo është e papranueshme dhe nuk do të tolerohet.
“Kryeministri Mustafa sikur po i sheh afër zgjedhjet, kështu që është fokusuar në rritjen e përformancës te dikastereve dhe komunave që udhëhiqen nga partia e tij. Ne do të shqyrtojmë edhe një herë këtë Projekt-Buxhet dhe do të kërkojmë të ndryshojnë disa gjëra sa i përket ndarjes së parave”, thonë tutje zyrtarë të PDK-së që kanë dashur të mbesin anonim.
Kryeministri Isa Mustafa tha në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës se pjesa më e madhe e buxhetit gjenerohet nga të hyrat fiskale.
“Ky është buxhet zhvillimor, buxhet rreth 2 miliardë euro. Pjesa më e madhe e të hyrave gjenerohet nga te hyrat fiskale dhe jo fiskale”, tha Mustafa.
Kurse, Ministri i Financave, Avdullah Hoti, tha se Projektligji që kaloi në Qeveri është i hartuar në pajtim me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe pritet që të ndikojë në rritjen ekonomike mbi 4 për qind në vitin e ardhshëm.
Tani, procedurat kërkojnë që Projektligji t’i dorëzohet Kuvendit të Kosovës, ku pas shqyrtimit nëpër komisionet përkatëse, pritet të vihet për miratim, para datës 20 dhjetor të këtij viti. /Lajmi.net/