Prishtina mund të shpëtohet

Korab Sejdiu deklaron se i ka hyrë garës për Prishtinën tash, sepse nuk ka dashur të bëhet vonë. Thotë se edhe me katër vjet të tjera keqmenaxhim, ky vend më nuk do të ishte i riparueshëm. Mendon se i ka të gjitha për të qenë Kryetar i Komunës.

Lajme

27/10/2013 06:27

Korab Sejdiu është optimist se Prishtina mund të dalë nga kaosi që e ka kapluar dhe beson se ende ka kohë për të shpëtuar.

Si i lindur dhe i rritur në Prishtinë, Kandidati i Aleancës Kosova e Re, thotë se i njeh mirë problemet e qytetit dhe si i tillë mund të gjejë zgjidhje për to.

Në një intervistë për lajmi.net, ai thotë se një ndër arsyet pse i ka hyrë garës zgjedhore të 3 nëntorit për ta marrë nën drejtimin e tij Kryeqytetin, është dëshira e tij që të mos bëhet vonë për Prishtinën.

“Vonë jemi, por jo tepër vonë.”

“Vërtet ka qenë e domosdoshme të mos lejohen edhe katër vjet keqmenaxhim, me ç’rast do të futeshim në një fazë ku Prishtina nuk do të ishte më e riparueshme, përderisa tani mund të riparohet me një menaxhim të mirë.”

Te një Kryetar i Prishtinës, Korab Sejdiu dëshiron ta shohë dikë që ka moshën që të ketë përvojë të mjaftueshme në menaxhim, dikë që ka ngritje adekuate akademike, dikë që ka një histori të pastër dhe që tregon se çdo e arritur e tij është bërë me nder e punë, dikë që ka parë se si mund të jetohet mirë dhe si mund të menaxhohet një qytet.

“Besoj se jam personi që i përmbush këto kritere, më mirë se çdo kandidat tjetër, me tërë respektin që kam për kundërkandidatët”.

Ai thotë se për të qeverisur mirë, duhet që të mos jesh lojal ndaj grupeve të interesit.

Në një mandat të tij në krye të Prishtinës, Korab Sejdiu pohon se përveç zonave industriale, do të krijojë buxhet të ndarë për të krijuar vende të reja të punës.

“Unë jam i Prishtinës. Jam optimist dhe dëshiroj që ky qytet të jetë një vend çfarë e meritojnë qytetarët.”

“Mendoj se me zgjedhjen e një menaxheri të mirë në krye të Kryeqytetit, i cili nuk është lojal as ndaj grupeve të interesit por edhe as militantëve të paaftë partiakë, Prishtina do të mund të vendosej brenda një periudhe të shkurtër në binarë”.

Shprehet se programi të cilin e ka hartuar për Prishtinën është shumë origjinal dhe me projekte afatgjata.

“Problemi më i madh i qytetarëve të Prishtinës është papunësia, pra krijimi i vendeve të punës dhe zhvillimi ekonomik. Për këtë, ne e kemi një program jashtëzakonisht origjinal dhe të zbatueshëm, që nënkupton jo vetëm hapjen e zonave industriale dhe përmirësimin e ambientit të biznesit, por edhe duke ndarë një pjesë të buxhetit për vende të punës”.

“Aspekti tjetër ka të bëjë me sundimin e ligjit, ku mund të shohim rrugë të cila shtrohen nga pesë herë radhazi, projekte të ndryshme që nuk realizohen ose që stërzgjaten, Të gjitha këto janë të ndërlidhura me mungesën e sundimit të ligjit ne Komunë”.

“Çështja e tretë që ne ofrojmë është filozofia e re e menaxhimit. Pra, ofrojmë program i cili ka për qëllim menaxhimin e çdo centi, të punohet me planifikim paraprak, që do të thotë se ne projektet do t’i analizojmë e pastaj t’i realizojmë ato”.

“Ne dëshirojmë që të bëjmë projekte të cilat do t’i rezistojnë kohës edhe pas dy a tri mandateve, pa marrë parasysh se kush do të jetë në krye të qytetit”.

Sejdiu thotë se nuk është i kënaqur me punën e Kryetarit aktual të Prishtinës, Isa Mustafa.

“E shoh Prishtinën si një vepër të keqmenaxhimit, e cila nuk është më e përshtatshme për qytetarët.”

“Zoti Mustafa ka pasur një periudhë të gjatë që ta dëshmojë veten, në aspektin menaxherial të qytetit. Unë si qytetar i Prishtinës nuk jam i kënaqur me punën e tij. Besoj që nuk jam i vetëm në këtë sentiment”.

“Gjatë fushatës kam parë se një bindje të tillë e kanë edhe gjysma e më shumë e qytetarëve”

Sejdiu thotë se ka shumë arsye pse ka ndodhur kështu.

Njëra ndër to, sipas tij, është se Isa Mustafa ka shumë angazhime dhe nuk mundet që për secilën ta ketë përqendrimin e duhur.

“Ky besoj se është dështimi kryesor në aspektin e Kryetarit të Komunës, sepse posti i Kryetarit të Komunës së Prishtinës, që ka probleme jashtëzakonisht të mëdha, kërkon vëmendje 100 për qind”.

“Nuk mund ta kemi një Kryetar i cili ka lojalitete të ndara ose që nuk ka kohë të mjaftueshme që t’ia përkushtojë 100 për qind kohën Kryeqytetit”.