Prioritetet e pezulluara të shtetit

Nuk ka dëshmi të qarta se politika kosovare e ka ndërmend t’i sendërtojë prioritetet e këtij shteti, pak muaj para se të shënohet dhjetëvjetori i shpalljes së pavarësisë.

Lajme

18/10/2017 09:00

Nuk e dinim ku jemi, si politikë kosovare, në atë periudhën prej mbajtjes së zgjedhjeve në qershor, deri në krijimin e Qeverisë së re të Kosovës, në shtator.

Ky vlerësim ishte i kuptueshëm, sepse kryeadresa e politikës vendore, në atë segmentin ekzekutiv, vendimmarrës, është Qeveria e Kosovës.

Por nuk ka dëshmi të qëndrueshme, të cilat do të na tregonin që politika kosovare ka marrë një udhë të qartë, në sendërtim të prioriteteve kryesore të këtij shteti, pak muaj para se të shënohet dhjetëvjetori i shpalljes së pavarësisë.

Çfarë ka karakterizuar politikën kosovare në dy muajtë e fundit?

Në radhë të parë, është sjellë këndejpari, thuaja për çdo ditë, tema e Marrëveshjes së Kosovës dhe Malit të Zi për vijëzimin e kufirit, e cila siç na u bë me dije edhe kohëve të fundit nga zyrtarë të ndryshëm të BE-së, mbetet një kriter i paeviteshëm në pritje të Liebralizimit të vizave për Kosovën. Në qarkullim ndër ne, janë të thuash, po ato qëndrime, të cilat kanë qenë në fuqi, që nga vjeshta e vitit 2015 e këndej. Po thuhet që ky është një kriter i padrejtë, që Kosova si asnjë shtet tjetër evropian, ka pasë kushte të shumta për t’i plotësuar, që marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe Malit të Zi, janë stabile dhe nuk ka synim prej askujt për t’i dëmtuar ato, etj.etj. Megjithatë, të gjithë ne e dimë që Brukseli nuk do të heq dorë prej këtij kriteri, dhe që qytetarët e Kosovës nuk do ta fitojnë të drejtën për udhëtim pa viza në Zonën Schengen, pa i adresuar edhe dy kriteret e fundit: Ratifikimin e Marrëveshjes kufitare dhe progresin në Sundimin e Ligjit.

Në anën tjetër, Kryeministri Haradinaj dhe Qeveria e tij, mbi të gjitha duan të krijojnë një opinion, tek qytetarët e vendit dhe tek politika kosovare në përgjithësi, që shquan si vlerën e saj më të madhe një dinamikë të veçantë në marrjen me punët e përditshme qeveritare dhe synimin që të trajtojnë grumbullin e problemeve të trashëguara nga e kaluara, në mënyrë sa më efikase. Natyrisht, marrja me probleme të këtij lloji, në çdo Qeveri, dhe në këtë të Kosovës, njeh atë dimensionin e pastër politik, që veçohet me vendimet që i merr Kryeministri dhe kabineti i tij, dhe atë dimensionin ligjor, kur pengesat vinë në trajtë të kornizës legale ekzistuese, apo, edhe në mungesë të saj, siç ishte rasti me Ligjin për Prishtinën, i cili më në fund u procedua në Kuvendin e Kosovës.

Elementi i tretë që është i pashmangshëm në përpjekjen për të shpjeguar rrjedhën e zhvillimeve në skenën politike të Kosovës, ka të bëjë me fushatën tridhjetëditëshe për zgjedhjet lokale që do të mbahen këtë të diele, me 22 tetor. Lajmet që mbërrinë nga kampet politike gjatë kësaj fushate, rëndom kanë qenë mbizotëruese në ambientin politik dhe shoqëror të vendit, midis tjerash sepse gara për Kryetarin e komunave në vend, është fort e personalizuar  (për shkak të vet sistemit zgjedhor), dhe kjo krijon rrethana kur qytetarët e rëndomtë janë të interesuar për ofertën që ata e kanë për vendin/ komunën, ku jetojnë.

Në këtë aspekt, supozimet janë që në shumicën dërrmuese të komunave kosovare, do të ketë edhe balotazh, apo raund të dytë të zgjedhjeve për kryepozitën e Kryetarit të komunës, që do të mbahet me 19 nëntor.

Kjo do të thotë që realisht, vetëm pas kësaj date, do të mund të shihet tablloja e plotë politike në vend, apo, do ta dimë se sa dhe a ka ndryshuar (në të vërtetë), raporti i forcave në mes të subjektëve kryesorë të politikës vendore.

Në parashikimet më të mira të mundshme pra, vetëm kah fundi i nëntorit do të mund të krijohen rrethanat në vend, kur do të mund të mirret vesh se çka mund të pritet tash e tutje prej politikës kosovare.

Natyrisht, kalimi i kohës dhe kjo periudha asnjanëse, në pritje të epilogut të zgjedhjeve lokale, nuk ndikon gjë në ndryshimin e kualitetit të kryeçështjeve të cilat na presin si Kosovë. Qytetarët e Kosovës e meritojnë të udhëtojnë sa më parë pa viza në Evropë. Qytetarët e Kosovës duhet të kenë jetë më të mirë. Kosova gjithsesi meriton t’i ketë Forcat e Armatosura. Më në fund, Kosova do të duhet ta përmbyllë së shpejti dialogun me Serbinë me Marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënënieve.