Pret fushatë të qetë

Kryetarja e KQZ’së, Valdete Daka, u ka bërë thirrje partive politike që të respektojnë fushatën dhe do të sillen në bazë të ligjit. Ajo shpreson të mos ketë ashpërsim të fjalorit politik. Ndryshe, sot nis fushata zgjedhore në 24 komuna ku do të ketë balotazh.

Lajme

25/11/2013 08:34

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, u ka bërë thirrje partive politike, pjesëmarrëse në garën e balotazhit, që të zhvillojnë një fushatë të qetë zgjedhore.

Daka ka thënë për “Epoka e Re” se pret që në fushatën pesëditore të balotazhit të mos ketë ashpërsim të fjalorit politik.

“Nga të gjitha subjektet politike që marrin pjesë në raundin e dytë të zgjedhjeve të 1 dhjetorit, kërkoj të sillen në bazë të rregullave zgjedhore dhe ligjit mbi zgjedhjet”.

“Mesazhi im është që edhe kjo fushatë të jetë e qetë sikurse ajo e 3 nëntorit”.

“Shpresoj që partitë politike do ta respektojnë fushatën dhe do të sillen në bazë të ligjit për zgjedhjet e përgjithshme dhe zgjedhjet lokale. Prandaj, nuk besoj se do të ketë ashpërsim të fjalorit politik”.

Ndryshe, sot fillon fushata zgjedhore për garën e balotazhit, e cila do të mbahet më 1 dhjetor.

Fushata do të zgjasë vetëm pesë ditë, deri të premtën. Të shtunën do të jetë heshtje zgjedhore, ndërsa të dielën do të zhvillohet përballja vendimtare në 24 komuna.

Pritet që të ketë një garë jashtëzakonisht të fortë në Prishtinë, mes Isa Mustafës së LDK’së dhe Shpend Ahmetit të Vetëvendosjes, gjithashtu në Prizren mes Ramadan Mujës së PDK’së dhe Eqrem Kryeziut të LDK’së. Përballje e fortë do të jetë edhe në Dukagjin, në Gjakovë mes Mimoza Kusariit-Lila të AKR’së dhe Pal Lekajt të AAK’së dhe në Pejë mes Gazmend Muhaxherit të LDK’së dhe Ali Berishës të AAK’së.

Një betejë zgjedhore  e rëndësishme do të zhvillohet edhe në Gjilan Lutfi Haziri i LDK’së me Qemajl Mustafën e PDK’së.

Edhe bashkësia ndërkombëtare ka bërë thirrje për zgjedhje të lira dhe të ndershme, për të mos prishur imazhin e mirë të krijuar me procesin e rregullt zgjedhor të 3 nëntorit.