Presioni në Beograd, së pari

Dacic nuk vjen në Kosovë që t'i ftojë serbët të dalin në zgjedhje, por që ta përçajë elektoratin serb. Bashkësia ndërkombëtare duhet t'i trajtojë të dyja palët njëjtë: nëse tërhiqet pala serbe, tërhiqet edhe pala kosovare. Kështu mendon analisti Ardian Arifaj.

Lajme

05/10/2013 07:45

Qeveria e Kosovës është duke u kritikuar nga europianët për faktin që Kryeministri i Serbië, Ivica Dacic, nuk është lejuar ta vizitojë Shtërpcën dhe të mbajë fjalim para serbëve në tubimin e Listës Qytetare Serbe, subjekt politik i mbështetur nga Beogradi zyrtar.

Së pari Përfaqësuesi Special i BE’së në Kosovë Samuel Zbogar, e më pas edhe Ambasadori Francez në Serbi Francois Xavier Deniau, kanë folur me tone qortuese ndaj Qeverisë së Kosovës.

Marrë parasysh këtë, Kryeministrin Hashim Thaçi e pret një takim i vështirë të hënën në Bruksel, kur të takohet me Përfaqësuesen e Lartë të BE’së Catherine Ashton dhe Kryeministrin e Serbisë Ivica Dacic.

Por, sipas analistit kosovar Ardian Arifaj është Qeveria e Sebisë ajo që së pari do të duhej vënë në siklet nga bashkësia ndërkombëtare.

Sipas tij, ndërkombëtarët do të duhej të drejtonin vërejtje andej, për komentet që i kanë bërë zyrtarët e Qeverisë serbe në Kosovë dhe për këcënimet e Dacic se do ta ndërpresë dialogun me Kosovën nëse vendimi i Thaçit nuk prapësohet.

“Nëse Qeveria serbe vihet në presion nga bashkësia ndërkombëtare që zyrtarët e saj të mos hyjnë në Kosovë dhe të përdorin një fjalor luftënxitës, atëherë Qeveria e Kosovës mund, pse jo, ta rishikojë vendimin dhe ta ndryshojë vendimin”, thotë Arifaj, në një intervistë për lajmi.net.

“Nuk duhet të tërhiqet vetëm pala kosovare, duhet të tërhiqet edhe pala serbe. Bashkësia ndërkombëtare duhet t`i trajtojë të dyja palët njëjtë. Nëse tërhiqet pala serbe, tërhiqet edhe pala kosovare”.

“Ai nuk po i fton serbët të dalin masovikisht në zgjedhje, por po i fton të votojnë për opsionin ‘Serbia’ dhe po i shpallë të gjithë oponentët politikë në Kosovë si tradhtarë”.

“Nuk është kjo ftesë për zgjedhje, por është ftesë për përçarje brenda elektoratit serb, e në njëfarë mënyre, edhe linçim të atyre politikanëve serbë të cilët dalin me alternativa tjera. Pra, ata sulmojnë integritetin e Kosovës”, thotë Arifaj.

Po të pyeteshin Zbogar dhe Deniau, Dacic dje do t’i prezantonte njerëzit e tij në Shtërpcë, për ta ftuar një pjesë të elektoratit t’i votojë satelitët e vet brenda Kosovës.

Njëjtë kishte ndodhur ditë më parë me njërin nga Ministrat në kabinetin e tij, Aleksander Vulin.

“Deklaratat e qeveritarëve serbë janë në kundërshtim me vetë interesat e ambasadorëve europianë, sepse ata bëjnë thirrje që në Kosovë zgjedhjet t`i fitojnë partitë politike që përfaqësojnë dhe mbrojnë interesat e Serbisë dhe jo interesat e Kosovës”, thotë Arifaj.

Sipas tij, interesat e Kosovës në këtë rast janë paralel me ato të bashkësisë ndërkombëtare, e në të përfshihet stabilizimi i pjesës veriore, i gjithë Kosovës dhe i gjithë rajonit.

“Pra, nuk në interes as të bashkësisë ndërkombëtare për t`u toleruar sjellja e zyrtarëve qeveritarë serbë në Kosovë çfarë ka qenë ajo e Ministrit Vulin”.

Madje, Arifaj mendon se vendimi i Qeverisë së Kosovës “më shumë është simbolik”, sepse e ndalon hyrjen në Kosovë vetëm për Kryeministrin e Serbisë, e jo të zyrtarëve tjerë qeveritarë serbë.

“Të tjerët mund të vijnë në Kosovë, por Prishtina ka dërguar një mesazh të qartë që nuk do të tolerohen këto cenime të integritetit të Kosovës sidomos në këtë periudhë kur është koha e ndjeshme”.

“Vulin ka hyrë në Kosovë dhe jo vetëm që ka bërë fushatë elektorale, por faktikisht e ka cenuar të drejtën e votuesve serbë në Kosovë për të zgjedhur vetë kë duan ta votojnë. Me këtë, ai e ka cenuar edhe integritetin e votuesit serb, por edhe të shtetit të Kosovës dhe sigurisht Qeveria e Kosovës është dashur të reagojë”, thotë Arifaj për lajmi.net.