Presidentit Thaçi do t’i verifikohet pasuria nga AKK-ja /DOKUMENT

Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK) ka organizuar hedhjen e shortit për kontrollin e plotë të pasurisë së zyrtarëve të lartë publikë.

Lajme

29/06/2018 13:57

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është njëri nga zyrtarët që i ra shorti për verifikim të pasurisë, raporton Ekonomia Online.

Numri i Thaçit në listë ishte 3.193. Hedhja e shortit u bë nga ana e gazetarëve të pranishëm dhe në mënyrë transparente është zgjedhur vetëm një numër.

Numri i zgjedhur ishte numri tre dhe në këtë mënyrë duke filluar nga ky numër, çdo personi të pestë zyrtar do t’i bëhet kontrolli i plotë i pasurisë.Kontrolli i plotë i pasurisë fillon nga Shqipe Kryeziu, këshilltare komunale në Komunën e Rahovecit, dhe përfundon te numri 4748, Sokol Havolli, këshilltar komunal në Komunën e Prishtinës.

Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Shaip Havolli, në fillim të takimit ka treguar për punën e Agjencisë gjatë vitit 2017 dhe fillimin e punës së vitit 2018.Ai tha se Ligji mbi Agjencinë dhe Deklarimin e Pasurisë pritet të procedohen shumë shpejt në Qeveri dhe më pas të kalojnë në Kuvend.Ai tha se lista e deklarimeve të pasurisë të vitit 2018 është dashur të bëhet nga 4748 persona zyrtarë publikë.