Presidenti iranian: Sulmet terroriste në Paris, goditje ndaj islamit

Presidenti i Iranit, Hassan Rohani, i ka dënuar ashpër sulmet terroriste të dy ditëve të fundit në Paris, ku si pasojë kanë humbur jetën në total 17 persona.

Bota

09/01/2015 19:47

Rohani ka thënë në një konferencë për mediat iraniane se ata që ndërmarrin akte ekstremiste në emër të fesë ose islamit nuk bëjnë gjë tjetër veçse provokojnë islamofobinë. 

Sipas tij, edhe sulmi i djeshëm në Paris kundër revistës satirike “Charlie Hebdo”, është bërë me këtë qëllim.

Këto komente vijnë vetëm një ditë pasi forcat e sigurisë iraniane nuk i lejuan gazetarët vendas të mbanin një marshim solidarizimi në nder të gazetarëve të vrarë një ditë më parë.

Më herët, Ministria e jashtme e Iranit e ka dënuar sulmin, por tha se është e papranueshme që shprehja e lirë të përdoret për poshtërimin e religjioneve monoteiste.