Pompeo takon mbretin dhe princin saudit pas zhdukjes së Khashoggit

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo është takuar me Mbretin Salman të Arabisë Saudite, pas zhdukjes dhe dyshimeve për vrasjen e gazetarit saudit, Jamal Khashoggi.

Bota

16/10/2018 16:01

Presidenti amerikan, Donald Trump ka dërguar Pompeon në Riad pasi ka folur me Mbretin e Arabisë Saudite për zhdukjen e Khashoggit, i cili është njohur si kritik i trashëgimtarit të fronit saudit, Princit, Muhammad bin Salman.

Khashoggi është zhdukur pasi ka vizituar konsullatën saudite në Stamboll dy javë më parë.

Pompeo ka falënderuar Mbretin Salman për “përkushtimin e tij të plotë dhe hetimin transparent për zhdukjen e Khashoggit”, ka thënë Departamenti amerikan i Shtetit në një deklaratë.

Pompeo është takuar edhe me ministrin e Jashtëm saudit, Adel al-Jubeir, para se të takohet me princin e kurorës.

“Ne jemi aleatë të vjetër dhe të fuqishëm, dhe përballemi me sfida së bashku”, ka thënë princi në takim me Pompeon.

Ndërkohë, presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë se policia ka kërkuar për “materiale toksike” në konsullatën saudite.

Hetuesit është planifikuar të kërkojnë sërish në konsullatë më 16 tetor.

“Janë duke u bërë kërkime për shumë gjëra, duke përfshirë materiale toksike që cilat mund të jenë larguar”, është cituar të ketë thënë Erdogan sipas mediave turke.

Pompeo do të vizitojë edhe Turqinë pas takimit të tij në Arabinë Saudite.

Trump ka thënë se sauditët do të përballen me “ndëshkim të ashpër” nëse Arabia është përfshirë në zhdukjen dhe vrasjen e dyshimtë të gazetarit. /REL/