Pogba, Zidane i ri

Ish mesfushori i Juventusit, Alessio Tacchinardi lavdëron Paul Pogban dhe e konsideron si futbollist me kualitete të legjendave përfshirë francezin Zinedine Zidane.

Sport

06/09/2014 16:20

Paul Pogba është “diamant i pastër” prej futbollisti dhe është i ngjashëm me legjendën e Francës, Zinedine Zidane, sipas Alessio Tacchinardit.

21-vjeçari është përmirësuar gjithnjë e më shumë në Torino pas transferimit si futbollist i lirë nga Manchester United, dy vjet më parë.

Tacchinardi, i cili fitoi 17 tituj gjatë karrierës në Juventus, beson se Pogba është një prej disa futbollistëve në botë që janë në gjendje t’i bëjnë disa gjëra të duken aq të lehta.

“Pogba është diamant i pastër. Ai është zhvilluar duke u bërë futbollist i jashtëzakonshëm. Nga ndeshja e parë në Juventus, e dija se bëhet fjalë për një futbollist të jashtëzakonshëm”, deklaroi ai për “Corriere dello Sport”.

“Kam pasur rastin të shoh katër futbollistë që kanë qenë në gjendje të zgjedhin situata të komplikuara me lehtësi të madhe: Juan Roman Riquelme në Villarreal, Zinedine Zidane e Alessandro Del Piero dhe Francesco Totti për Italinë”, u shpreh Tacchinardi.