Plazhi i famshëm “Maya Bay” do të qëndrojë i mbyllur pa afat

Turistët, që shpresojnë të vizitojnë gjirin e famshëm Maya në Tajlandë, do të duhet të presin gjatë për të shkelur në brigjet e tij të bardha.

Fun

04/10/2018 22:10

Destinacioni i famshëm duhej të rihapej këtë muaj, pas një ndalimi të përkohshëm të turistëve. Por, zyrtarët tajlandezë bënë të ditur se gjiri do të mbetej i mbyllur pa afat.

I bërë i famshëm nga “The Beach”, një film i vitit 2000 me Leonardo DiCaprio, “Maya Bay” ka qenë i paarritshëm që nga 1 qershori, si pjesë e atij që pritej të ishte një program katërmujor rimëkëmbjeje, që synonte të ndihmonte koralet e dëmtuara të zonës.

Por, zyrtarët thonë tani se ekosistemi detar do më shumë kohë që të rimëkëmbet.

Pjesë e një parku kombëtar tajlandez, “Maya Bay” është një atraksion i madh turistik, falë edhe suksesit të “The Beach”, që është filmuar atje.

Tajlanda mbyll rregullisht parqet kombëtare dhe ishujt për arsye të ndryshme, nga moti ekstrem e deri te rimëkëmbja ekologjike, por kjo është hera e parë që një masë e tillë merret në gjirin Maya të shumëvizituar.