Pesë gjërat pozitive që i pamë te Real Madrid në triumfin ndaj Getafes

Real Madrid ka fituar ndeshjen e xhiros së parë në La Liga, kundër Getafes, me rezultatin 2:0.

Sport

20/08/2018 17:08

Pas humbjes në finale e Superkupës së Evropës dhe paraqitjeve jo bindëse në kuadër të “International Champions Cup”, filluan dyshimet mbi Real Madridin e Lopetegui dhe frika nga mos zëvendësimi i Cristiano Ronaldos.

Nuk shkoi njëjtë edhe në ndeshjen e parë të La Ligas. Skuadra e strategut spanjoll shfaqi komplet fytyrë tjetër. Përveç rezultatit pozitiv, këto janë edhe pesë gjërat tjera pozitive nga loja e djeshme.

1) Posedimi i topit – Duket se skuadra e Lopeteguit e dëshiron posedimin e topit. Kjo dëshirë u shfaq edhe kundër Getafes. Të përzgjedhurit e spanjollit e mbajtën topin nën kontroll në 73% të kohës. Për një statistikë të tillë nga Real Madrid, duhet të kthehemi shumë vite mbrapa, konkretisht, më 12 shkurt 2012, ku madrilenët patën 80% të posedimit, kundër Levantes.

2) Siguria në mbrojtje – Nga e gjithë ndeshja, pothuajse më e vlefshmja ishte mbajtja e portës së paprekur. Vija e fundit funksionoi gati përfekt, duke mos i’u dhënë fare hapësirë sulmuesve të Getafe për ta rrezikuar portën e Keylor Navas. Për 90 minuta Getafe pati vetëm një goditje.

3) Pasimet e sakta – Diferenca në pasime ndërmjet dy skuadrave ishte e madhe. Real Madrid regjistroi 793 pasime, me një saktësi prej 91%. Në anën tjetër Getafe pati një saktësi prej 65% në totalin e 222 pasimeve. Ishte Toni Kroos me një përqindje afër përfektes (98%) më i sakti në pasime.

4) “Ringjallja” e Garreth Bale – Uellsiani duket se më në fund po i gjen hapësirat e tij, me largimin e Cristianos.  Ai po duket i lumtur me marrjen e primatit në vijën e sulmit të madrilenëve. Këtë fundjavë ai realizoi një gol, mirëpo, shpejtësia, eksploziviteti dhe teknika e tij janë edhe një plus tjetër i madh për skuadrën.

5) Angazhimi i Asensio, Ceballos dhe Nacho – Besimi i Lopeteguit në Asension dhe Ceballos është tejet i madh. Stili i lojës së tyre duket se po i përshtatet tejmase trajnerit, ky i fundit që nuk po heziton fare ti aktivizoj të rinjët. Asensio ka qenë starutes në të dyja ndeshjet e fundit dhe ka mrekulluar me paraqitjet e tij. Nacho gjithashtu u aktivizua në vend të Varane, i cili kundër Atletico Madrid ishte larg formës së tij më të mirë. Nacho la përshtypje të mirë dhe dha një siguri në mbrojtën e madrilenëve.

Duket se puna e Lopeteguit po fillon të vie në pah. Mbetet të shihet se a do të jenë të aftë trajneri dhe skuadra që të garojnë deri në fund me Barcelonën dhe Atletico Madrid për titullin e kampionit në La Liga. /Lajmi.net/