Përforcimet e Contes

Trajneri i Juventusit, Antonio Conte ka formuar një listë me emrat e futbollistëve, që dëshiron t’i transferojë në klub gjatë afatit kalimtar të verës, si kusht për të vazhduar qëndrimin e tij në detyrë. Kush janë ata?

Sport

17/05/2014 11:52

Takimi vendimtar mes Antonio Contes dhe Andrea Agnellit është shumë pranë.

Sipas të përditshmes sportive italiane Tuttosport, ai do të ndodhë sot, mirëpo më tepër ka mundësi që trajneri dhe presidenti i Juventusit të takohen në fillim të javës së ardhshme pas duelit të xhiros së fundit me Cagliarin të dielën, dhe festës së Scudettos.

Sot, pak më shumë se ditëve të shkuara, ekziston një optimizëm më i madh për vazhdimin e qëndrimit të Contes në postin e trajnerit të Bianconerëve.

Mirëpo, drejtuesit e klubit duhet t’i përmbushin kërkesat e Contes në tregun e futbollistëve.

Tuttosport ka publikuar emrat e atyre që thuhet se kërkohen nga Conte. Emrat më të ‘nxehtë’, pas ëndrrës Luis Suarez janë Edinson Cavani e Mario Mandzukic.

Pas tyre vjen i riu i Real Madridit, Alvaro Morata. Për krah favorit është Alexis Sanchez më tepër se Cuadrado, dhe Nani e Pereyra. Në mesfushë, Conte dëshiron dikë mes Carvalho, Guarin, Gundogan, Verratti ose Rabiot.

Kurse, atij i pëlqen Lulic, ndërsa ndiqen edhe Adriano, Coentrao e Darmian. Në qendër të mbrojtjes, futbollisti më i vlerësuar nga Conte është Hummels me Vermaelenin pas tij.