‘Përbindëshi’ rrafshon ishuj në Paqësor

Cikloni i njohur me emrin “Pam” ka shkaktuar dëme materiale të jashtëzakonshme në Vanutu, shtetin ishull në Paqësor, i cili ndodhet rreth 1700 kilometra në lindje të Australisë. Presidenti i Vanutu, Baldwin Lonsdale, i deshpëruar, e ka përshkruar ciklonin si “përbindësh” të vendit të tij.

Bota

16/03/2015 10:54

Duke folur në Japoni, të hënën, ku ishte duke ndjekur një konferencë ndërkombëtare mbi përgatitjet për fatkeqësitë, presidenti Lonsdale ka thënë se erërat e forta të stuhisë që arritën shpejtësinë deri në 300 kilometra në orë, të shtunën, kanë shkatërruar ëndrrën e qeverisë dhe të popullit në Vanutu, që kishin për një jetë më të mirë, pas zhvillimit ekonomik në rritje viteve të fundit.

"Pam" lë mijëra shtëpi pa kulme në Vanutu
“Pam” lë mijëra shtëpi pa kulme në Vanutu

 

Shumë familje janë evakuuar dhe shumë shtëpi kanë mbetur pa kulme në kryeqytetin Port Vila, ndërkohë që ende nuk dihet për dëmet materiale që stuhia më e madhe e shënuar në këtë rajon, ka shkaktuar në ishujt tjerë më të vegjël në Paqësor.

Zyrtarisht thuhet se nga stuhia që ka goditur shtetin ishull, që popullohet nga 182 000 banorë, kanë vdekur tetë persona, mirëpo autoritetet në Vanutu kanë frikë se ky numër mund të jetë më i madh, pasi ekipet e shpëtimit janë nisur drejt ishujve të tjerë të këtij shteti.

Vanutu goditet nga erërat me shpejtësi 300 km/h
Vanutu goditet nga erërat me shpejtësi 300 km/h

 

Vanutu është një arkipelag i madh, popullsia është e shpërndarë në më shumë se 60 ishuj dhe komunikimi është i vështirë edhe për shkak të varfërisë që shumë nga këto vendbanime. Prandaj, është shumë e vështirë për autoritetet që të kenë një pasqyrë të vërtetë të shkatërrimit nga “Pam”, i cili ka shkatërruar mijëra hektarë të mbjella, që llogaritet si industrai më e rëndësihme në Vanutu. /lajmi.net/

YouTube player