PDK dhe PD takohen nesër për pasardhësin e Ferid Aganit në qeveri

Përfaqësuesit e PDK-së dhe PD-së pritet që nesër të takohen, për të vendosur për pasardhësin e Ferid Aganit, në krye të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Labinotë Demi-Murtezi nga Partia e Drejtësisë, nuk ka asnjë dyshim që partia e saj do të vazhdojë të udhëheq këtë ministri.

Lajme

22/06/2016 16:30

Të hënën, Ferid Agani i dorëzoi kryeministrit Isa Mustafa, dorëheqjen nga posti i ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Kjo pasi, një javë më parë, përkatësisht më 15 qershor, Zyra e Prokurorit të Shtetit ngriti aktakuzë ndaj tij për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Agani bën pjesë në grupin prej 64 të pandehurve, për keqpërdorim të detyrës zyrtare, në kohën kur udhëhiqte Ministrinë e Shëndetësisë, për rastin e njohur “Stenta”.

Qeveria e Kosovës akoma nuk ka njoftuar për emrin që do të zë vendin e Aganit.

Labinotë Demi Murtezi, nënkryetare e Partisë së Drejtësisë (PD), parti kjo që udhëhiqet nga Agani, tha për lajmi.net se menjëherë pasi kryetari i saj ka dhënë dorëheqje, PD ka kërkuar takim me partnerin e koalicionit parazgjedhor, Partinë Demokratike të Kosovës (PDK).

“Pasi kryeministri të hënën e ka pranuar kërkesën për lirim nga posti i ministrit të kryetarit tonë Agani, ne menjëherë kemi kërkuar takim me udhëheqësin e PDK-së, partnerit tonë të koalicionit parazgjedhor”, thotë ajo.

Demi-Murtezi thotë se në bazë të marrëveshjes së koalicionit me PDK-në, udhëheqja e kësaj ministrie i takon PD-së, prandaj ajo thotë se nuk ka dyshim që ndonjë akterë nga PD-ja do të vihet në krye të Minsitrisë së Mjedisit.

“Kjo është një ministri të cilën ne e kemi udhëhequr në bazë të marrëveshjes së koalicionit parazgjedhor që kemi pasur. Padyshim presim që edhe në vazhdim të udhëhiqet nga njerëzit e Partisë së Drejtësisë”, thotë Demi-Murtezi.

Deputetja Labinotë Demi-Murtezi, thotë se takimi PD-PDK pritet të mbahet nesër ose më së largu pasnesër.

“Ka mundësi që nesër të realizohet takimi ose më së largu pasnesër por shpresojmë që ky takim të ndodhë nesër sepse secila bashkëbisedë e ka një procedurë, ka detaje të veta që mandej partitë përkatëse i konkludojnë nëpër kryesitë e tyre”.

Një emër që është lakuar nëpër media, që do të mund të zë vendin e Aganit, në Ministrinë e Mjedisit, nënkryetari i PD-së, Jeton Svirca.

Se Svirca mund të jetë pasardhësi i Aganit, nuk e mohon as Demi-Murtezi.

“Jeton Sfirca është nënkryetar i PD-së dhe është prej emrave të mundshëm. Nuk është larg mendsh që ai të jetë por që ne nuk kemi realizuar akoma takim, do të thotë kur të bisedojmë do të shohim se cili prej emrave do të jetë i pranueshëm edhe nga partnerët e koalicionit”, tha Labinotë Demi-Murtezi. /Lajmi.net/