PDK bind deputetët, Specialja do t’i ketë votat

Vetëm katër nga 13 deputetët e PDK-së, që nuk i dhanë mbështetje amendamentit kushtetues që do t’i hapë rrugë themelimit të Gjykatës Speciale, nuk kanë ndryshuar qëndrim rreth kësaj çështjeje.

Lajme

24/07/2015 08:17

Kështu mbështetje Speciales pritet t’i japin 85 deputetë të koalicionit qeverisës, ndërsa votë kundër pritet nga 35 deputetë tjerë, 31 nga partitë opozitare dhe katër nga PDK-ja.

Burime të gazetës “Zëri” brenda Grupit Parlamentar të PDK-së kanë bërë të ditur se kundër formimit të kësaj Gjykate vazhdojnë të jenë deputetët: Nait Hasani, Ganimete Musliu, Fadil Demaku dhe Raif Qela.

Ndërkohë që deputetët: Fadil Beka, Xhevahire Izmaku, Rafet Rama, megjithëse në votimin e 26 qershorit votuan kundër këtij amendamenti, mësohet se tani kanë ndërruar qëndrim dhe do të votojnë për këtë ndryshim.

Votë “për” pritet edhe nga dy deputetët Flora Brovina e Nezir Cocaj, të cilët në votimin e parë abstenuan, ashtu si edhe nga deputetët që nuk kanë marrë pjesë në votimin e 26 qershorit: Blerta Deliu-Kodra, Bekim Haxhiu, Nuredin Lushtaku dhe Salihe Mustafa. /Zëri/