Pas sulmeve në Bruksel, Evropa nis të mendojë ndryshimin e masave të sigurisë

Pas sulmeve terroriste në Bruksel, tashmë Evropa po ngre pyetjen e radhës se çfarë të bëjë për të forcuar edhe më shumë masat e sigurisë në Aeroporte e stacione trenash.

Bota

22/03/2016 18:27

Shpërthimet në Bruksel nga të cilat rreth 30 persona u vranë dhe shumë më shumë u plagosën, kanë bërë që të rindizen thirrjet për një rishikim  rrënjësor të masave të sigurisë dhe atë në shkallë të plotë.

Ky rishikim duhet të përfshijë rrjetin hekurudhor evropian dhe atë ajror në mënyrë që të parandalohen mizori të ngjashme.

Policë të armatosur janë vendosur nga sot në aeroportet e stacionet e trenit si dhe vendkalimet kufitare në të gjithë Evropën dhe SHBA si masa të shpejta të ndërmarra nga qeveritë për të rritur sigurinë pas sulmeve.

Nga Londra në Nju -Jork, masat e sigurisë janë rritur. Në Mbretërinë e Bashkuar, qeveria tha se kishte rritur praninë e saj me pjesëtarë të policisë në kufi e në porte, si dhe kontrolle shtesë të sigurisë në disa fluturime.

Por gazeta londineze “Financial Times” , duke cituar David Bently, një analist dhe njohës i funksionimit të aeroporteve, shkruan se “më nuk ka mbetur siguri për të hyrë në aeroport, në të kundërtën këto lloj sulmesh do të shtohen”.

Nga ana tjetër,  Roger Ford, redaktor në revistën e specializuar për hekurudha, deklaron se do të jetë shumë e vështirë për të drejtuar një sistem shumë të fortë të  masave të sigurisë për metro dhe aeroporte.

“Duke vënë në masat e sigurisë, do të shkaktot shumë përçarje. Ju nuk mund të mbështeteni në skanime, pasi ju duhet të mbështeteni në kujdesin e  forcës së publikut dhe të sigurisë, “tha ai./lajmi.net