Pas Luizit, PSG kërkon edhe Hazardin

Pas qendërmbrojtësit David Luiz, Paris Saint-Germain mund të hidhet në sulm edhe për transferimin e mesfushorit të Chelseas, Eden Hazard. Trajneri Laurent Blanc ka pranuar se e pëlqen shumë yllin belg.

Sport

23/05/2014 16:54

Paris Saint-Germain duket i vendosur për të shtuar edhe Eden Hazardin në listën e objektivave për transferim nga Chelsea, pasi trajneri Laurent Blanc pranoi interesimin e tij për yllin belg.

Kampioni i Francës thuhet se është shumë pranë zyrtarizimit të marrëveshjet për transferimin e mbrojtësit të Chelseas, David Luiz. Por, pas tij mund të hidhet në sulm edhe për Hazardin.

PSG është spekuluar me transferimin e Hazardit gjatë gjithë këtij sezoni, dhe Blanc ka pranuar se pëlqen karakteristikat e futbollistit më të mirë të vitit nga Chelsea.

“Pse e dua Eden Hazardin? Sepse është një futbollist që eliminon kundërshtarët”, deklaroi Blanc.

“Ne mund t’i diskutojmë të gjitha sistemet, ose individuale të futbollistit, ose kolektive. Por, një futbollist që është në gjendje t’i eliminojë tre ose katër futbollistë në çdo kohë në një ndeshje, është diçka tjetër. Ne nuk e dimë se çka do të ndodhë me këta futbollistë. Ata e destabilizojnë kundërshtarin”, u shpreh Blanc.