Paralajmërimet për pasojat e Brexit-it: Çmimi i lartë i daljes së Britanisë nga BE-ja

Pas tre ditësh debatesh dhe 140 faqeve me ndryshimet e propozuara, 650 deputetët miratuan në lexim të parë Ligjin për Brexit-in – me 494 vota pro dhe 122 kundër. Me këtë, kryeministrja Theresa May ka dhënë dritën e gjelbër që muajin e ardhshëm të nis procesi i daljes së Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian. Deri në pranimin përfundimtar të tekstit ligjor duhen disa javë, por May ka thënë se më 31 mars do të aktivizohet Neni 50 i Traktatit të Lisbonës, për fazën e parë të negocimit dyvjeçare të zbatimit të Brexit-it, shkruan Independent, transmeton Telegrafi.

Bota

10/02/2017 14:35

Anëtarët e Parlamentit britanik kanë refuzuar nëntë ndryshime, përfshirë një që ka të bëjë me sigurimin e mbrojtjes dhe të drejtat e qytetarëve të Bashkimit Evropian. Mbrojtësit e politikave pro-evropiane, pas kalimit të ligjit kënduan “Odën e Gëzimit”, himnin e Bashkimit Evropian. Ndërkohë, Parlamenti skocez të martën – me shumicë dërrmuese – refuzoi planin e Qeverisë britanike që autorizon kryeministren May për të filluar procesin e largimit nga BE. Por, megjithatë, ky vendim është simbolik, pra jo detyrues.

Analistët ekonomikë paralajmërojnë se dalja nga BE-ja do të ndikojë me humbje të eksportit të Britanisë në vlerën prej 9.5 për qind. Llogaritjet e bëra me modelet që përfshijnë masat e produktivitetit, tregojnë një ndikim negativ në prodhimin e brendshëm bruto, për kokë banori – madje katër herë më shumë se vlerësimet e mëparshme, shpjegon John Van Reenen, profesor i Ekonomisë Sloan School of Management, i cili kërkon mbetjen e Britanisë në BE.

Rënia e PBB-së parashikohet si shkak i rritjes së kostos së të bërit biznes me vendet që janë në Bashkimin Evropian, e të cilat përbëjnë më shumë se gjysmën e subjekteve me të cilat bashkëpunon Britania. Eksporti i zvogëluar, thotë profesori Van Reenen, do të ndikojnë në prodhim e kjo do të reflektohet në nevojën më të vogël për forcën punëtore e në paga më të vogla për ata që do të mund ta ruajnë punën, transmeton Telegrafi.

“Shpenzimet do të jetë dukshëm më të larta se fitimet e tashme me Evropën”, ka thënë ai.

Britani deri tash ka dëshmuar një elasticitet të papritur pas votimit historik për të dalë me bllokun tregtar i BE-së. Ekonomia, në të katërtin tremujor radhazi, regjistroi një rritje të papritur. Por, është e vështirë të parashikohet se çfarë do të ndodhë kur ky shtet nuk do të jetë më pjesë e BE-së. Atëherë fati i Britanisë varet nga marrëveshjet që mund të arrijë me Administratën e Brukselit. /Telegrafi/