Padinjitetshëm karshi Amerikës

Baton Haxhiu konsideron se refuzimi i Kryeministrit Rama për shkatërrimin e armëve kimike ishte vendim i drejtë, në një proces të menaxhuar gabimisht. E quan vendim të mirë për qytetarët e kapluar nga frika, por të keq për të ardhmen e politikës së Shqipërisë.

Lajme

16/11/2013 06:00

Edi Rama ka bërë një refuzim historik, të premten.

I ka dhënë fund ankthit qytetar, duke mos pranuar shkatërrimin e armëve kimike siriane brenda territorit të Shtetit Shqiptar, ndërsa ka hapur debat për profilin e tij si lider, me vendimin për t’u thënë “Jo” Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Shqipëria e ka të pamundur të përfshihet në këtë operacion”, ka thënë Kryeministri Edi Rama, në fjalën e tij, derisa mijëra qytetarë po prisnin ta dëgjonin këtë përgjigje, poshtë dritareve të zyrës së tij.

Shqiptarët e tubuar në rrugët e Tiranës, të çliruar, duartrokitën vendimin e Kryeministrit.

Ai, siç vlerësohet, nuk ka mundur ta përballojë presionin e brendshëm, i cili erdhi si pasojë e mungesës së menaxhimit të një procesi të ndjeshëm.

Analisti Baton Haxhiu, në një intervistë për lajmi.net, thotë se Edi Rama mori një vendim të drejtë, në një proces të menaxhuar gabimisht.

“Ky është një vendim i drejtë, sepse mijëra qytetarë kanë protestuar kundër armëve kimike dhe prezencës së tyre në Shqipëri. Kjo është një ndjenjë e drejtë dhe një frikë që lind te secili njeri, për jetën e tij dhe të familjes së tij.”

“Kjo ka ardhur si pasojë e mungesës së informimit dhe e menaxhimit të gabueshëm të rrugës së Qeverisë karshi qytetarit. Kishte mungesë sqarimi dhe lejim të frikës e histerisë kolektive dhe mediale në Shqipëri.”

“Prandaj, për të mos ndodhur më e keqja, nga një vendim ‘pro’ armëve kimike, shumë më pak i dëmshëm sesa ky vendim që mori ‘pro’ qytetarëve të tij, tregoi që Edi Rama në momentin e caktuar mori një vendim jashtëzakonisht të mirë për qytetarët, por një vendim të keq për të ardhmen e politikës së Shqipërisë.”

Haxhiu mendon se kjo ishte një gafë e jashtëzakonshme e një politike që e ka vënë në siklet diplomacinë amerikane.

Ai rikujton se si SHBA’të me mund kanë krijuar rrugën për sigurinë e një vendi të katandisur si Shqipëria, ndërsa kanë krijuar edhe Kosovën një vend të pavarur.

“Është gjithë ai investim politik dhe diplomatik i SHBA’ve në Shqipëri, kundër të gjitha vendeve që kishin paragjykime për të”.

“Nëse SHBA’të kërkojnë vetëm një herë një pëlqim të Shtetit Shqiptar për një çështje që ka të bëjë me dinjitetin e SHBA’ve karshi Rusisë dhe vendeve tjera, e Shqipëria nuk i del ballë në mënyrë politike e të ndershme, kjo është një gafë e rëndë e një Qeverie”.

“Qytetarët polakë dhe çekë e kanë pasur vendimin shumë më të rëndë për të vendosur raketat që kishin për qëllim mbrojtjen e sigurisë europiane, sepse i kanë dhënë të drejtën Amerikës për të vendosur raketat për t’u mbrojtur nga Rusia.”

“Nëse ata qytetarë dhe ai pushtet e ka përqafuar rrezikun, për shkak të sigurisë europiane, çfarë rreziku mund të paraqesin atëherë ato armë të shkatërrimit në masë, në rastin kur çdo gjë ka qenë e kontrolluar dhe inspektuar nga SHBA’të?”

“Kjo ishte çështje për të drejtën e sigurisë së qytetarëve të Botës. OKB e ka një agjenci për shkatërrimin e armëve kimike dhe nëse këto armë kanë qenë rrezik për çdo qytetar të Botës, edhe për atë të Shqipërisë, si është e mundur që kjo Qeveri dhe Edi Rama si Kryeministër nuk ka pasur ndjenjën dhe aftësinë që ta bëjë këtë gjë?”

Duke përmendur faktin që dhjetëra vende në Botë prodhojnë armë kimike, të cilat, në njëfarë mënyre, janë rrezik për secilin qytetar, Baton Haxhiu pyet se si është e mundur që shqiptarët qenkan më të vlefshëm se qytetarët e Francës, Britanisë, ose Amerikës, që depot e tyre i kanë të mbushura me armë kimike dhe janë në rrezik nga to.

“Prej nga vjen kjo histeri? Vjen nga një arrogancë e një vendi të vogël që mendon se ka aftësi të madhe.”

“Unë e respektoj frikën e qytetarëve të Shqipërisë. Por, them se është politikisht e dëmshme, e paqëndrueshme, naive dhe jo lideriste, që të merret një vendim i tillë.”

Vetëm një ditë më parë, para se Kryeministri Edi Rama ta bënte publik vendimin për shkatërrimin e armëve kimike siriane, Ambasadori Amerikan në Tiranë, Alexander Arvizu, deklaroi hapur se një ‘Jo” do të ishte zhgënjyese.

Baton Haxhiu thotë se Edi Rama jo vetëm që ka zhgënjyer SHBA’të, por është lider i dobët për faktin se Qeveria e tij nuk ka treguar gatishmëri për t’i bindur qytetarët për një proces normal, siç është shkatërrim i armëve kimike, që në Botë bëhet për çdo vit.

“Politika e Edi Ramës ishte e padinjitetshme karshi SHBA’ve, që e ruajnë sigurinë në Shqipëri, dhe karshi qytetarëve të Botës të rrezikuar nga armët që ishin në duart e terroristëve.”

Duke folur për profilin e liderit, i cili duhet të tregohet me vendimet e tij, Baton Haxhiu përmend si shembull krahasimi Kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçin, i cili, së voni, hyri në dialog politk me Serbinë.

“Hashim Thaçi e ka pasur 90 për qind të popullsisë së Kosovës kundër dialogut me Serbinë. I kemi pasur 12 mijë të vrarë. Por, vendimi për të shkuar në dialog ishte vendim i një lideri, i cili ka menduar dhe ka qenë i bindur se SHBA’të do ta dërgojnë këtë dialog në suksesin e madh.”

“Ky vendim i Thaçit ka qenë shumë më i rrezikshëm, sepse ka mundur të çojë në luftë qytetare, por edhe etnike, sesa ai i Edi Ramës.”

“Prandaj, po të isha në vend të SHBA’ve, nuk do ta merrja seriozisht një lider i cili nuk ka guxim që të marrë një veprim të tillë. Një lider që nuk di ta kontrollojë histerinë e adoleshentëve, e kam problem të besoj se ai mund të sjellë vendime të mëdha për ndryshime.”

Pak çaste pasi Edi Rama përfundoi fjalimin e tij, në fund të të cilit bëri të ditur vendimin për refuzimin e shkatërrimit të armëve kimike siriane në Shqipëri, Ish Kryeministri Sali Berisha kërkoi dorëheqjen e tij.

Baton Haxhiu thotë se kupton kërkesën e opozitës kur gjen këso lloj gabimesh të pozitës. Por, pohon se nuk ka asnjë kontaminim më të madh që i është bërë Shqipërisë sesa ajo nga udhëheqja e Qeverive të mëparshme.

“Kjo, gjithashtu, është një hipokrizi opozitare që e ka përfshirë edhe një lider të ri të Partisë Demokratike, i cili më së paku është lider.”

Frika nga helmi i armëve kimike ka bërë që qindra njerëz ta kalojnë natën para ndërtesës së Kryeministrisë në Tiranë dhe mijëra të tjerë kanë protestuar në qytete tjera. Një reagim i madh qytetar, në një protestë të lirshme.

Baton Haxhiu thotë se kjo protestë ishte produkt i lirisë së krijuar pas zgjedhjeve të 23 qershorit në Shqipëri, kur në pushtet erdhi Edi Rama. Sipas tij, kjo nënkupton që qytetarët shqiptarë nuk kanë qenë të lirë të protestojnë asnjëherë, për arsye e kanë pasur një lider të fortë si Sali Berisha.

“Frika e qytetarit shqiptar për të dalë në protesta, gjithmonë ka qenë frikë për vdekjen, gjithmonë ka qenë e afërt lufta qytetare dhe shkatërrimi i Shqipërisë.”

“Në një moment, të cilin e ka krijuar atmosfera pas zgjedhjeve të 23 qershorit, e ka bërë qytetarin shqiptar që të jetë protestues. Por, brenda dinjitetit protestues ka pasur paqartësi dhe arrogancë”.