Pacolli thirrje Qeverisë: Nga 1 nëntori edhe serbët të bartin targat në territorin e Kosovës
Rrahim Pacolli, udhëheqës i delegacionit kosovar në bisedimet Kosovë-Serbi në fushën e sigurimeve thotë se i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që të ndërmerr masa ndaj palës serbe për moszbatim të plotë të marrëveshjes për lëvizje të lirë.
Lajme
Ai përmes një postimi në Facebook ka thënë se i është drejtuar Qeverisë së Kosovës se që nga 1 Nëntori 2015 të fillojë zbatimin e marrëveshjes ashtu siç po aplikohet nga pala serbe, raporton lajmi.net.
Sepse siç thotë ai ankesat nga ana e qytetarëve çdo ditë e më shumë po rriten lidhur me vështirësitë në të cilat po hasin./lajmi.net
Lexoni postimin e plotë:
Kanë kaluar disa muaj nga nënshkrimi i marrëveshjes për njohje reciproke të policave të sigurimit kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nga fillimi i zbatimit të saj dhe afro dy muaj nga kërkesa ime për ngrirje të kësaj marrëveshje ose zbatimit të saj në mënyrën e njejtë siç po zbatohet nga pala serbe.
Poashtu, i kam bërë thirrje BE-së që të ndërmerr masa ndaj palës serbë për moszbatim të plotë të marrëveshjes dhe pengim të lëvizjes së lirë.
Në qoftë se kjo thirrje vazhdon të mos merret parasyshë, i drejtohem Qeverisë së Kosovës me kërkesën që nga 1 Nëntor 2015 të fillojë zbatimin e marrëveshjes ashtu siç po aplikohet nga pala serbe, që nënkupton detyrimin e qytetarëve serb që të bartin targa provuese dhe aplikimin e tarifave shtesë për to, në rastet kur ata hyjnë në territorin e Kosovës.
Ankesat nga ana e qytetarëve tanë çdo ditë e më shumë po rriten lidhur me vështirësitë në të cilat po hasin, andaj duhet të bëjmë zgjidhje sa më të shpejtë të këtij problemi.