Opozita: Diplomacia kosovare e pafuqishme ndaj asaj serbe, të formohet strategji urgjente

Partitë opozitare i kanë bërë thirrje Qeverisë së Kosovës, që urgjentisht të formojë një strategji aktive për t’iu kundërvënë diplomacisë agresive të Serbisë ndaj shteteve që kan njohur Kosovën.

Lajme

03/03/2018 12:17

Kosova e cila më 18 shkurt shënoi 10 vjetorin e pavarësisë së saj nga Serbia, kohëve të fundit është duke u përballur me një diplomaci të egër nga shteti serb, i cili po bënë presion në shtetet që ka njohur Kosovën, kryesisht nga kontinenti afrikan që ta tërheqin atë.

Madje, një qëllim e kishte arritur, ku në fund të vitit që lamë pas, shteti i Surinamit kishte tërhequr njohjen e Kosovës, e cila më pas kishte dërguar letrat kredenciale ministrit të Jashtëm të Kosovës, Behgjet Pacolli për rinjohje të shtetit të Kosovës, shkruan lajmi.net.

Serbia është duke vazhduar të kërkojë nga shtetet tjera që ta tërheqin njohjen ndaj Kosovës. Ministri i Jashtëm i këtij shteti Ivica Daçiq, ka thënë se edhe disa shtete të tjera janë duke shqyrtuar tërheqjen e njohjes  si: Guniea Bissau, Ishujve Komore dhe Burundi, ky i fundit mund ta bëjë këtë edhe për shkak të deklaratave të dy zëvendësministrave të Jashtëm, Gjergj Deda e Anton Berisha të cilët e kanë cilësuar si njohjet të parëndësishme atë të Burundit.

Përfaqësues të partive opozitare thonë se ministria e Jashtme nuk ka bërë asgjë deri më tani për t’iu kundërpërgjigjur Serbisë.

Fitore Pacolli nga Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se aktualisht kjo diplomacia kosovare e dobët dhe me plotë skandale nuk mund t’i reagojë Serbisë.

“Deri më tani nuk kemi parë që Ministria e Punëve të Jashtme ka ndërmarr për t’iu kundër përgjigjur këtyre veprimeve të Serbisë. Politika e jashtme e Kosovës është shumë e dobët dhe me përplot skandale. Kështu siç është nuk mund t’i kundërvihet Serbisë. Në fushën e politikës së jashtme Kosova është në situatë shumë më të keqe se sa ishte menjëherë pas pavarësisë”, ka thënë Pacolli për lajmi.net

Ajo ka vlerësuar se Kosova ka prishur raportet edhe më shtetet tjera që kanë njohur Kosovën, krejt kjo sipas saj, pasi ka një garë në mes të ministrave, presidentëve dhe zv.ministrave se kush po merr meritat për njohjet.

“Kjo u pa qartë kur në 10 vjetorin e Pavarësisë nuk ishte i pranishëm asnjë ministër i punëve të jashtme nga shtetet e Evropës dhe asnjë përfaqësues i BE-së. Po ashtu, përderisa të gjithë liderët e Ballkanit po priten/ftohen në vizita ndërshtetërore nga shtetet perëndimore, Kosova nuk po ftohet pothuajse askund – rasti me vizitat e fundit të të gjithë liderëve të Ballkanit në Berlin (Kancelarja Merkel disa ditë më parë ka pritur Presidentin e Serbisë Aleksandar Vucic, po të njëjtin e ka takuar edhe në mars dhe shtator të vitit 2017)”, ka vlerësuar deputetja Pacolli.

Kosova që nga 18 shkurti i vitit 2008, kur shpalli pavarësinë  është njohur 116 vende, por përveç Serbisë, ajo vazhdon të mos njihet nga 5 vendet e përhershme të BE-së, (Spanja, Greqia, Qipro, Sllovakia,Rumania). Ndërsa, Serbia synon që këtë numër ta zbresë deri në 96.

“Qëllimi ynë është që numri i atyre shteteve që e njohin Kosovën të jetë 96, sepse kjo do të thotë më pak se gjysmën e shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara”, ka thënë Daçiq për Blicin serb.

Deputetja e LDK-së,  e cila është edhe kryetare e Komisionit për Punë të Jashtme, ka thënë se Qeveria e Kosovës urgjentisht duhet ta formojë një strategji shumë më aktive ndaj politikës agresive të Serbisë.

“Ne i bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që urgjentisht të hartojë strategji shumë më aktive dhe mos të jetë në defanzivë më raport me Serbinë, por të jetë më aktive për të luftuar politikën agresive serbe sa i përket njohjeve, dhe të ketë qasje më të drejtpërdrejtë tek shumë shtete që janë gjeografiskiht jashtë Kosovës, në mënyrë që mos të lejohet që propaganda serbe të ketë sukses në këto shtete”, është shprehur Osmani.

Ndërsa, deputetja e VV-së, Fitore Pacolli thotë se Kosova duhet që së bashku me Shqipërinë të formojë një strategji aktive në politikën e jashtme.

“Kosovës i duhet një politikë e jashtme e përbashkët me Shqipërinë sa më shpejt që të jetë e mundur në mënyrë që të veprojmë bashkërisht për qëllime të përbashkëta dhe të forcojmë pozitën që kemi në rajon”, ka vlerësuar Pacolli.

Shteti i fundit që ka njohur Kosovën është Barbadosi, njohje kjo e ardhur më 15 shkurt,  në prag të 10 vjetorit të pavarësisë. /Lajmi.net/