Onkologjia së shpejti me brahiterapi

Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Uran Ismaili ka pritur të mërkurën në takim udhëheqësin e Agjencisë për Mbrojtje nga Rrezatimi dhe Siguria Bërthamore, Beqir Mezelxhiu.

Lajme

04/07/2018 18:52

Temë kryesore e këtij takimi ishte përshpejtimi i procedurave për licencimin e brahi-terapisë në Institutin e Onkologjisë, trajtim mjekësor që nuk është ofruar deri më tani për pacientët tanë.

Ministri Ismaili u njoftua nga Mezelxhiu se janë përmbushur kushtet e nevojshme fizike për mbrojtje nga rrezatimi radioaktiv në Institutin e Onkologjisë, sipas standardeve të Bashkimit Evropian, si dhe për veprimet tjera të nevojshme që duhet të ndërmerren në mënyrë që të fillojë shërbimi me brahiterapi.

Aparatura e brahiterapisë, e cila mundëson trajtimin me rrezatim të tumoreve malinj, është blerë para tri vjetësh, mirëpo deri më tani ka qenë jashtë funksionit.  Fillimi i aplikimit të kësaj terapie në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës do të ndikojë edhe në zvogëlimin e shpenzimeve për trajtim jashtë vendit. /Lajmi.net/