OKB, mësime nga shqiptarët që shpëtuan hebrej

Aktiviteti në respektimin e Ditës Ndërkombëtare “Kujtimin e Viktimave të Holokaustit”, 27 Janarin – u mbajt të ejten më 31 Janar 2019, në pallatin Selia e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, në një bashkë-organizim nga Misioni i Përhershëm i Shqipërisë, në Nju Jork, Departamenti i KB-së për Komunikimet Globale dhe Kongresi Botëror i Hebrenjve, me titull: “Çështja e njerëzimit – Shpëtimi i hebrenjve në Shqipëria gjatë Holokaustit “.

Lajme

01/02/2019 23:43

Prijës fetarë islamë, të krishterë, ortodoksë dhe Hebre ( klerikë të të tre feve kryesore shqiptare), bashkë me dhjetëra personalitete nga jeta institucionale e diplomatët e dy shteteve tona, Shqipërisë e Kosovës ( Ambasadorja Teuta Sahatqija, diplomatja Ines Demiri, Butrint Ymeri), përfaqësues të huaja në Kombet e Bashkuara, miq të Shqipëtarve, historian, gazetar, dhe lider të komunitetit, veprimtar të dalluar, dëgjuan për më shumë se dy orë me vëmendje konfrencën : “Çështja e njerëzimit – Shpëtimi i hebrenjve në Shqipëria gjatë Holokaustit ” .

Kjo, konferencë u moderua nga Alison Smale, e cila është një gazetare britanike e cila shërben si Nën-Sekretare e Përgjithshëme për Komunikimet Globale, Departamenti i Informacionit Publik i Kombeve të Bashkuara, kurse, folëse kryesore këtij eventi ishte Përfaqësuesia e Përhershëme e Republikës së Shqipërisë në Kombet e Bashkuara, H.E. Znj. Besiana Kadare.

Folësit e ftuar përfshinin Përfaqësuesin e Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë; Ambasadorin Ronald Lauder, i cili është dhe President i Kongresit Botëror të Hebrenjve; (nuk mori pjesë Prof. Shaban Sinani, historian dhe autor i librit Shqiptar dhe Judenj: Mbrojtja dhe Shpëtimi) ; Dr. Anna Kohen, Majlinda Myrto, familjet e së cilave u shpëtuan në Shqipëri gjatë Holokaustit, dhe z. David Estrin, Themelues i organizatës rinore “Së bashku ne kujtojmë”dhe Robert Singer nga organizata “ World Jewish Cong”. Ndërsa, u përfshin në diskutime gjatë kësaj konference edhe kongresisti demokrat i Nju Jorkut, Eliot Engel, Ambasadori në detyrë i Shteteve të Bashkuara, në KB, Jonathan Cohen , ambasadori i Austrisë , Danny Dayan, Konsull Gjeneral i Izraelit, Imam Tahir Kukaj, ish Kongresisti republikan i Nju Jorkut, Xhozef DioGuardi, Presidenti i Lidhjes Qytetare Shqiptaro Amerikane, anëtari i Këshillit bashkiak të Nju Jorkut, Mark Gjonaj, dhe veprimtari i komunitetit shqiptar Cafo Boga.

Zëvendëssekretarja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, Alison Smale, tha se shpëtimi i hebrenjve nga Shqipëria gjatë holokaustit mishëron parimet e deklaratës universale të të drejtave të njeriut, se çdo njeri ka të drejtën e jetës, lirisë dhe sigurisë së personit. Ajo tha se ky shembull është sidomos i rëndësishëm në botën e sotme kur njerëzit kudo në botë janë dëshmitarë të rritjes së populizmit, ksenofobisë, neonazizmit dhe grupeve të urrejtjes.

Ambasadoria Besiana Kadare tha se është krenare që i përkas një kombi, i cili qendroi në anën e duhur të historisë, në kohën e duhur dhe duke kryer aktin e duhur”. Ambasadorja Kadare, foli për kohën kur hebrenjtë përndiqeshin në të gjithë kontinentin po që gjetën shpëtim e paqe në një vend të vogël Shqipërinë, i vetmi ku pas Luftës së Dytë Botërore, gjendeshin më shumë hebrej sesa para saj. “Deri vonë, bota nuk e dinte pothuajse asgjë për përpjekjet e Shqipërisë për të shpëtuar hebrenjtë”, tha Ambasadorja e Shqipërisë duke përshkruar kodin etik të Besës dhe si funksionon ai për shqiptarët” .

Ambasadori në detyrë i Shteteve të Bashkuara, në OKB, Jonathan Cohen tha se “shqiptarët u shquan mes njerëzve të guximshëm që patën një ndikim të jashtëzakonshëm duke mbrojtur me mijëra në Ballkan, duke siguruar që t’i shpëtonin tmerreve të Holokaustit – e përgëzojmë humanitetin e Shqipërisë ndaj hebrejve dhe konceptin e saj të Besës”, tha ai. Dr. Anna Kohen, fëmijë e të mbijetuarve të Holokaustit, foli për përvojën e familjes së saj gjatë Holokaustit në Shqipëri, dhe si ka ndikuar kjo histori gjatë gjithë jetës së saj. Ish presidenteia e Shoqatës “Motrat Qiriazi” dhe tani e angazhuar në Degën e kësaj shoqate në Florida, Dr.Anna Kohen, e cila kishte udhëtuar enkas për këtë konferencë – solli ato kujtime të gjalla e mbresa emocionale nga jeta e saj fëminore në qytetin e bukur të Vlorës, kur prindërit e saj dhe ajo, të ndjekur nga gjermanët u strehuan në qytetin e Vlorës, për mikpritjen vëllazërore familjare nga vlonjatët që nuk do të harrohen kurrë nga hebrejtë : ”Unë jam shqiptare me gjak hebre”, -tha ajo dhe ri përsëriti: “Atdheu im i dytë ështe Shqipëria, Vlora”.

Majlinda Myrto, anëtar të familjes e të cilës janë shquar në shpëtimin e hebrejve, foli për konceptin e Besës dhe detyrimin që kanë shqiptarët ndaj mikut dhe njerëzve në nevojë.

Takimin e përshëndeti edhe kongresisti Eliot Engel, Kryetar i Komitetit për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Dhomën e Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan, një mik i herëshëm i shqiptarëve.

Engel ishte një nga ligjvënësit amerikanë dhe figurat publike që i kishte kërkuar administratës së Presidentit Bill Clinton të intervenonte në luftën e Kosovës në vitin 1999, duke iu frikësuar një gjenocidi që do t’u bëhej popullsisë shqiptare në Kosovë, që ishte në duart e Slobodan Milloshevicit. Të njëjtit që kishin kërkuar të ndihmoheshin shqiptarët në luftës e 99’ës, kishin kërkuar edhe njohjen e shtetit të Kosovës, kur u deklarua i pavarur në vitin 2008.

Kongresmeni, ka thënë se është ndier shumë i nderuar dhe i befasuar nga ajo çfarë është bërë në Kosovë, për mbrojtjen dhe shpëtimin e tyre gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke permendur rrëfimet e treguara nga miku i tij, gjatë një vizite të zbulimit të një pllake varri, ku ngrihet sot Muzeumi për viktimat hebraike të Holokaustit në Prishtinë. Duke folur vetëm për Kosovën në këtë rast, Engel, tregoi se si bashkë me Presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugova, kishin vendosur nga një gurë, në çdo varrezë të hebrenjve në Prishtinë.

Për çudi të të pranishëmeve vendi i Kosovës, përfaqësuesve të saj të Konsullatës së Përgjithshme në Nju Jork, Ambasdores Tetua Sahatqija, dhe stafit të saj në këtë event , ju ishte dhënë një vend i “nënvlerësuar”, dhe, ambasadores së Kosovës, Sahatqija, nuk i u dha fjala, as në diskutimet e lirëshme……deri sa ajo u largua para se të përfundojë konferenca.

Veprimtari Cafo Boga në fjalën e tij tha se : “Vendi i përfaqësueses së Kosovës, në këtë konferencë, ku flitet për atë cfarë bën Shqiptarët për të mbrojtur hebrenjët gjatë Luftës së Dytë Botërore – nuk është në radhën e tretë, por duhet të ishte në krye të konferencës, duke treguar se nuk është vetëm Shqipëria, ajo që doli në mbrojtje të hebrenjëve gjatë luftës së Dytë Botërore, por ishin Shqiptarët edhe në Mal të Zi, Kosovë, Maqedoni e kudo” tha ai.

Në vitin 1990, kongresisti Tom Lantos, një i mbijetuar i Holokaustit, dhe ish-kongresisti Joe DioGuardi, ishin zyrtarët e parë të SHBA-ve që u futën në Shqipëri në pesëdhjetë vitet e fundit.

Diktatori i fundit i Shqipërisë, Ramiz Alia, u dorëzoi atyre një skedar të trashë nga arkivat komuniste në copa të prera gazetash, rreth shpëtimit të hebrenjve në Shqipëri dhe letra të padorëzuara e fotot nga të mbijetuarit hebrenj te shpëtimtarët e tyre shqiptarë. Kjo histori e paparë ishte e fshehur nga sundimi brutal komunist për 45 vjet, ka shkruar DioGuardi. Kur DioGuardi i dërgoi këto dokumente përmes një mikut izraelit në Yad Vashem, Autoriteti Përkujtimor i Dëshmorëve të Holokaustit dhe heronjve në Izrael thanë se ato janë autentike.

DioGuardi tha se në Shqipëri kanë qenë vetëm 200 familje që kanë shpëtuar hebrenjtë, përderisa, sipas tij, e gjithë pjesa tjetër është strehuar nga shqiptarët e Kosovës, dhe shqiptarët të cilët kanë jetuar në vendet e tjera. Gjithashtu, DioGuardi, gjatë fjalës së tij shpjegoj si “Jugosllavët” u munduan t’a merrnin këtë histori, sukurse ishin ata që i shpëtuan hebrenjët, por DioGuardi tha se ai me Tom Lantosh ishin të parët që me lobimin e tyre e bën që Izraeli ta pranoj që ishin Shqiptarët shpëtimtarët dhe jo “Jugosllavët”! Ai theksoi se personalisht do të angazhohet fuqishëm për njohën e Kosovës nga Izraeli.

Në këtë aktivitet, shqiptaro-amerikani i parë në Këshillin Bashkiak të New York-ut, Mark Gjonaj edhe ai si Joseph DioGuardi, ka kërkuar njohjen e Kosovës, shtet të pavarur dhe Sovran nga Izraeli. Këshilltari Gjonaj, në fjalimin e tij, ka folur për shpëtimin e hebrenjve në Shqipëri dhe Kosovë, dhe se të dy popujt kanë pasur një histori të ngjashme. Hoxha i Xhamise Shqiptare ne Staten Island NY, Imam Tahir Kukaj në fjalën e tij në Kombet e Bashkuara, foli për bujarin, trimnin dhe BESëN e shqiptarve që edhe në ditë më të vështira shqiptarët e mbajtën besen! “Asnjë hebre nuk u dorëzua te Nazistat gjat Luftës së Dytë botërore!” tha ai. (INA)