Odiseada e tragetit “Norman Atlantic” përfundon me tetë të vdekur

Tetë të vdekur është zyrtarisht bilanci i fatkeqësisë së tragetit të përfshirë nga flakët pranë brigjeve të Korfuzit, ndërsa evakuimi i të gjithë personave në bord ka përfunduar.

Lajme

29/12/2014 18:14

Sipas medieve italiane, në traget ndodhet vetëm kapiteni, i cili po pret përfundimin e operacionit. Atij i takon në fakt të deklarojë se në anije nuk ndodhet më asnjë njeri.

Si raporton Top Channel, zjarri mësohet të ketë shpërthyer mëngjesin e së djelës në pjesën e tragetit ku mbaheshin automjetet. “Norman Atlantic” udhëtonte nga Patra e Greqisë drejt Ankonës në Itali. Shumica e pasagjerëve ishin grekë dhe turq, por në mesin e tyre kanë qenë edhe 33 shqiptarë, 11 nga të cilët me dyshtetësi.

Rreth 100 vetë u shpëtuan prej andej gjatë natës, në kushte shumë të vështira, thanë rojet bregdetare italiane. Ekipet e shpëtimit, që me shumë zor i kanë larguar udhëtarët me helikopterë në mes të errësirës dhe shkulmeve të erës, ishin të pajisura me aparate për të parë natën.

Piloti i Forcave Ajrore Italiane, Antonio Laneve tha për televizionin shtetëror se kabina e helikopterit të tij ishte e mbushur me një tym djegës, çka e bënte edhe më sfidues operacionin e shpëtimit.

Shumica e udhëtarëve të nxjerrë nga trageti janë transferuar në anije të tjera, ndërsa ata në gjendje më të rëndë shëndetësore janë dërguar menjëherë në spital.

Prokuroria e Barit ka nisur një hetim mbi ngjarjen, me dyshimin se mund të bëhet fjalë për gabim njerëzor. Ndërkohë, nuk dihet ende se ku do të përfundojë trageti, i cili pas dëmeve materiale dhe evakuimit, ka mbetur në mes të detit.

Por, në ndërkohë një lajm negativ ka ardhur nga mediat greke, të cilat flasin për 38 udhëtarë të tjerë të humbur e që, sipas tyre, nuk janë gjetur nga skuadrat e shpëtimit. (Top Channel)