​Kurti: Synimi i Rusisë është destabilizmi i institucioneve të shtetit të sigurisë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se disa institucioneve të Kosovës me web faqe të tyre kanë rënë pre e sulmeve kibernetike ruse për një periudhë të caktuar dhe më pas janë rikthyer. Sipas tij, synimi i Federatës ruse është lufta hibride, e cila ka për qëllim destabilizimin e institucioneve të shtetit të sigurisë,…

Lajme

08/05/2024 15:32

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se disa institucioneve të Kosovës me web faqe të tyre kanë rënë pre e sulmeve kibernetike ruse për një periudhë të caktuar dhe më pas janë rikthyer. Sipas tij, synimi i Federatës ruse është lufta hibride, e cila ka për qëllim destabilizimin e institucioneve të shtetit të sigurisë, të stabilitetit dhe mbarëvajtjes së punëve.

Në konferencën për media, pas mbajtjes së mbledhjes së Qeverisë, kryeministri Kurti ka folur edhe për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, derisa ka potencuar se Serbia ka shkelur së paku tetë nga 11 nene të marrëveshjes së Ohrit, prandaj është vështirë të bëhet implementimi i marrëveshjes i cili nuk respektohet.

Ai ka shtuar se draft-statuti nuk është dokument i Kosovës dhe si i tillë nuk mund të nxirret nga paketa e marrëveshjes në Bruksel, ‘në atë mënyrë që të lexohet marrëveshja bazë dhe më pas të vendoset në qendër’.

“Serbia asnjëherë nuk ka respektuar marrëveshjen. Ajo ka shkelur dhe mbishkelur çdo nen të kësaj marrëveshje së paku 8 nga 11. Është vështirë të bëhet implementimi i marrëveshjes i cili nuk respektohet. Prandaj, unë kam insistuar gjithmonë që të vendosim nënshkrimin në këtë marrëveshje, si garancë e respektimit të marrëveshjes dhe implementimit. Ky draft-statut nuk është dokument i Kosovës dhe nuk mund të nxirret nga paketa dhe në atë mënyrë të lexohet marrëveshja bazë, më pas të vendoset në qendër apo si prioritet. Marrëveshja e Ohrit thotë se nuk ka ndonjë nen i cili është më i rëndësishëm se ndonjë nen tjetër, ky është parim i implementimit. Kush dëshiron që neni shtatë apo gjashtë, apo katër të jetë prioritet mbi nene të tjera, kjo është e kundërt me marrëveshjen e Ohrit”, ka thënë Kurti.

Ndërsa, për sulmet kibernetike që kanë ndodhur nga Rusia ndaj institucioneve të Kosovës, Kurti ka theksuar se ju qëndron prapa deklaratave të ministres së Punëve të Brendshme, Donika Gërvalla, e cila ka folur në emër të Qeverisë së Kosovës.

Ai, ka deklaruar se është e vërtetë që disa web faqe të institucioneve të Kosovës kanë rënë pre një periudhë të caktuar dhe janë rikthyer. Sipas Kurtit, synimi i Federatës ruse është lufta hibride e cila do të kishte për pasojë ‘po të ishte e suksesshme do të kishte për pasojë në stabilizimin e institucioneve të shtetit të sigurisë së stabilitetit dhe mbarëvajtjes së punëve’.

“Çfarëdo që ka thënë zëvendësja ime e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla është edhe qëndrim i imi. Ajo ka folur në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Është e vërtetë se disa web faqe të institucioneve tona kanë rënë për një periudhë të caktuar, ato janë rikthyer, kanë qenë disa sulme kibernetike të cilat duket që vijnë së paku nga federata ruse dhe ndoshta nga vegla të tjera të cilët ata i kanë rrotull kontinentin tonë, por synimi i tyre është lufta hibride, e cila do të kishte për pasojë, po të ishte e suksesshme e institucioneve tona të sigurisë të stabilitetit dhe të mbarëvajtjes së punëve”, ka shtuar Kurti.

Sa i përket anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, e cila nuk është vendosur akoma në agjendën e KiE-së për 17 maj, Kurti ka potencuar se institucionet nuk ka përgjithësi as faj në këtë gjë sepse kanë plotësuar sipas tij “gjithçka nga e zeza në të bardhë në raporte dhe dokumentet e tyre”.