Njerëzit do të martohen me robotë në të ardhmen

Një hulumtues i inteligjencës artificiale parashikon se robotika do të bëjë një përparim shumë të madh, dhe njerëzit do të martohen me robotë në vitet e ardhshme.

Auto & Tek

10/11/2014 17:39

Robotët do të bëhen aq të ngjashëm me njeriun – do të bëjnë biseda intelegjente, do të shfaqin emocione dhe do të reagojnë ndaj emocioneve të njerëzve. Në këtë mënyrë, robotët do të bëhen një racë e re e njerëzve, tha David Levy, një hulumtues i inteligjencës artificiale i cili e shkroi librin “Dashuria dhe Seksi me Robotët”, transmeton Lajmi.net.

Ai thotë se këta robotë do të jenë shumë të ngjashëm me njerëzit sa që njerëzit do të bien në dashuri me ta, do të bëhen miq dhe madje edhe bashkëshortë.

Mund të tingëllojë si fanta-shkencë, por Levy, i cili e shkroi librin ‘Dashuria dhe Seksi me Robotët’, thotë se kjo është diçka që ne kemi qenë duke lëvizur drejt saj deri tani.

“Robotët filluan të përdoren në fabrika për të krijuar vetura. Nuk kishte asnjë ndërveprim personal”, tha Levy. “Pastaj njerëzit ndërtuan ndihmës shtëpiak robotë dhe më vonë kafshë robotë. Tani disa robotë janë krijuar për tu kujdesur për të moshuarit. Në 20 vitet e fundit, ne kemi qenë duke lëvizur në drejtim të robotëve që do të kenë më shumë marrëdhënie me njerëzit, dhe kjo do të vazhdojë në drejtim të një marrëdhënie shumë emocionale, një më të dashur dhe më seksuale”, shtoi ai.

Por, Levy tha se njerëzit do të kenë marrëdhënie seksuale me robotët ndoshta edhe brenda pesë viteve – më shpejtë se sa mendohet.

Ndërtimi i këtij lloji të robotit do të jetë më e thjeshtë se ndërtimi i një roboti që do të mund të jetë shoqërues i mirë i njeriut. Levy tha se arritja më e madhe në robotikë do të vijë në formën e mundësimit të një roboti për të kryer biseda interesante, të ketë ndërgjegje dhe aftësi emocionale, transmeton Lajmi.net.

Levy, vlerëson se robotët do të jenë në gjendje për të bërë biseda interesante – jo në një nivel si të një të diplomuari të fakultetit, por në një nivel të knaqshëm – brenda 15 viteve.

Ndër të tjera, Levy thotë se çdo kush do të mund ta ketë një robot dhe do të mund ta zgjedhë atë. “Ju mund të zgjidhni lloje të ndryshme të robotëve; qesharak apo serioz”, thotë ai. Nëse do të jeni të pikëlluar dhe do të keni nevojë që të disponoheni, roboti juaj do të bëjë shaka gjatë gjithë kohës për tu munduar që t’ju disponojë. Ju do të jeni në gjendje për ta ndryshuar personalitetin e një roboti, interesat e tij dhe dijen. Nëse jeni një adhurues i filmave ju do të jeni në gjendje që ta merrni një robot me dituri të lartë për filmat, gjithashtu.

Pasi që nevojat harduerike dhe softuerike janë plotësuar, Levy thotë se përparimet në robotikë do të fillojnë shumë shpejtë të shumohen.

Levy shton se dituria e robotit do ta kalojë atë të pronarit të tij.