Një muaj paraburgim për vozitësin e veturës që aksidentoi për vdekje këmbësorin në ‘Dardani’

Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit E.B për veprën penale “Rrezikim i trafikut publik”.

Lajme

25/09/2018 14:07

Bëhet fjalë për vozitësin e veturës që të dielën aksidenti për vdekje një burrë në lagjen Dardani në Prishtinë.

Ati gjykata i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji, njofton Gjykata Themelore.

“Ekziston dyshimi i bazuar se me datë.23.09.2018, rreth orës 15:50 në Bulevardin “BillKlinton”, në Prishtinë, i pandehuri E.B. derisa ishte duke drejtuar automjetin e tipit “BMË X1”, ka vepruar në kundërshtim me rregullat e Ligjit mbi Trafikun Rrugor, ashtu që nga pakujdesia kishte goditur këmbësorin, tani të ndjerin V.M, i cili në ato momente ka qenë duke kaluar rrugën së bashku me fëmijën tre vjeçar N.M, me ç’rast i ndjeri V.M ishte goditur nga automjeti dhe kishte pësuar lëndime vdekjeprurëse, vdekja e të cilit është konstatuar në vendin e ngjarjes nga ekipi mjekësor i ndihmës së shpejtë, ndërsa fëmija N.M, nuk kishte pasur fare kontakt me automjetin, mirëpo si pasojë e frikës ishte transportuar në Qendrën Emergjente në Prishtinë”, thuhet në kumtesë.