Nisma kërkon nga Jahjaga të hetojë komplotin ndaj Limajt

Kjo parti politike e konsideron të papranueshme heshtjen e institucioneve të Republikës së Kosovës karshi "skandalit në lidhje me komplotin gjyqësor ndaj Fatmir Limajt".

Lajme

09/03/2015 18:57

Për këtë gjë ata i kanë shkruar presidentes së vendit, Atifete Jahjaga një letër.

“Në emër të garantimit të të drejtave dhe lirive themelore si dhe barazisë para ligjit të secilit qytetar të Republikës së Kosovës, NISMA për Kosovën kërkon nga ju që t’i ushtroni obligimet e juaja kushtetuese dhe ligjore”, thuhet në letrën e Nismës.

Sipas Nismës, Presidentja duhet të përdorë të gjithë autoritetin që ia jep Kushtetuta për të kërkuar nga organet kompetente që jo vetëm të ndriçohet ky komplot, por edhe të merren masat e nevojshme që asnjëherë në të ardhmen, askush të mos guxojë që të përdorë sistemin e drejtësisë në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi për qëllime politike.

Nisma për Kosovën pret nga Jahjaga që ditëve në vijim të ndërmerren hapat e nevojshme në përmbushje të obligimeve kushtetuese.