Nënshkrimi i MSA-së pritet deri në mes të vitit 2015

Komisioni për Integrime Evropiane i Kuvendit të Kosovës është takuar të martën me një delegacion nga Njësia e Kosovës në Drejtorinë për Zgjerim në Bruksel, të kryesuar nga Cindy Van den Boogert.

 

Lajme

13/01/2015 16:43

Një interesim i veçantë iu kushtua valës së largimit ilegal të qytetarëve të Kosovës në drejtim të vendeve të BE-së, për të cilën të dy palët ndanë shqetësimet e tyre, thuhet në komunikatën e Kuvendit të Kosovës.

Vjosa Osmani, e cila e udhëhoqi këtë takim në mungesë të kryetares Teuta Sahatqija, i njoftoi mysafirët me hapat që ka bërë Kosova në procesin e integrimit evropian, për të cilin tha se ekziston një unitet i të gjithë spektrit politik të Kosovës. Në këtë aspekt, ajo foli edhe për rolin e komisionit, si dhe sfidat me të cilat ai përballet në përmbushjen e detyrave të tij. Deputetja Osmani u ndal edhe në procesin e liberalizmit të vizave dhe migrimin ilegal të qytetarëve të Kosovës, që po ndodh në muajt e fundit, duke i konsideruar këto si sfida mjaft të ndjeshme për vendin.

Duke shprehur shqetësimet e tyre përkitazi me këto largime ilegale, deputetët shtruan nevojën e marrjes së masave ndaj atyre që po organizojnë dhe ndihmojnë këtë largim, por edhe rritjen e angazhimeve të të gjitha palëve për krijimin e kushteve që do të ndikonin në zvogëlimin e arsyeve për largim nga Kosova.

Në kuadër të përpjekjeve për ndaljen e këtij emigrimi, Xhavit Haliti theksoi nevojën e përmirësimit të gjendjes ekonomike dhe ngritjes së mirëqenies sociale të qytetarëve të Kosovës, nëpërmjet rritjes së angazhimeve dhe hartimit të projekteve të përbashkëta ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Zyrtarja e Bashkimit Evropian, Cindy Van den Boogert shfaqi shpresën se ky vit për Kosovën do të jetë i mbarë sa i përket procesit të integrimeve evropiane dhe përfundimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.

Ajo tha se sipas planit shpresohet që MSA-ja të nënshkruhet deri në mesin e këtij viti, ndërsa për shkak të procedurave të BE-së, formalizimi i saj në tërësi të bëhet deri në fund të vitit.

Sa i përket çështjes së emigrimit të qytetarëve të Kosovës në drejtim të vendeve të BE-së, Van den Boogert tha se ky është shqetësim për tërë BE-në, ndërsa shprehu gatishmërinë e kësaj organizate për t’i ndihmuar institucionet e Kosovës në përgatitjen e një fushate vetëdijesimi, në funksion të parandalimit të largimit të qytetarëve, përfundon komunikata.