Në QKUK shkelen standardet e kujdesit shëndetësor, pacientët rrezikohen

Qendra Klinike Universitare e Kosovës është shumë larg nga të qenit një spital bashkëkohor i cili promovon mirëqenien dhe përkujdesjen. Madje edhe pas renovimeve nëpër klinika, në QKUK vazhdojnë të shkelen standardet e kujdesit shëndetësor dhe të rrezikohen pacientët nga infeksionet

Lajme

20/03/2017 10:49

Ideja e riprojektimit të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës mund të duket si luks, marrë parasysh kushtet tjera në të cilat funksionon shërbimi spitalor në vend. Megjithatë, nëse krahasohet me spitalet bashkëkohore, atëherë një gjë e tillë do të ishte e domosdoshme për QKUK-në.

Florina Jerliu, arkitekte, profesoreshë në UP, ka ngritur idenë e riprojektimit të klinikave të QKUK-së, pasi sipas saj, janë larg të qenit në shërbim të pacientëve, shkruan Gazeta Shneta.

Jerliu thotë se arkitektura e spitaleve në botë është zhvilluar mjaft në kuptimin e formës dhe të standardeve të nevojshme për akomodim të hapësirave, funksioneve dhe nevojave bashkëkohore.

Përveç funksioneve nominale që e karakterizojnë një objekt spitalor, si: dhomat e pacientëve, sallat, hapësirat e personelit e të mjekëve, etj, Jerliu deklaron se spitalet bashkëkohore gjithnjë e më shumë po transformohen për të përfshirë hapësira qëndrimi dhe pushimi, të cilat promovojnë mirëqenien, komforin dhe kujdesin për të gjithë ata që ndodhen aty, pavarësisht nëse janë pacientë, të afërm të pacientëve, apo vizitorë rasti.

“Ideja bashkëkohore e objekteve spitalore sot shkon krahas konceptit të ‘person-centered care’ apo ‘kujdesit me personin në qendër’, është ide që kujdeset për edhe detajet më të imta funksionale të cilat e bëjnë qëndrimin  në hapësirat spitalore të këndshëm dhe të dinjitetshëm”, shprehet profesoresha.

Ajo shton se QKUK sot nuk ofron asnjë nga këto atribute!

“Ndërtesat e QKUK janë projektuar sipas standardeve të kohës kur janë ndërtuar dhe si të tilla mbase kanë funksionuar përbrenda koncepteve të kujdesit spitalor të asaj kohe. Dihet botërisht se QKUK si kompleks dhe si shërbim ka degraduar gjatë viteve 1990-ta të pushtetit okupues, sikurse dihet edhe fakti se prioritet i pasluftës ka qenë pikërisht rimëkëmbja e infrastrukturës së degraduar”.

Megjithatë, shton Jerliu, në vazhdën komplekse të renovimeve dhe rijetësimeve nëpër faza të reparteve të QKUK-së pas luftës, ka ndodhur deranzhimi i standardeve themelore të projektimit arkitektonik.

Ajo shprehet mjaft kritike dhe i konsideron dëme substanciale, renovimet që janë bërë nëpër reparte dhe klinika të QKUK-së.

“Është ndryshimi i destinimit të hapësirave sipas qejfeve dhe nevojave mbase individuale të personelit mjekësor e ndoshta edhe të donatorëve të ndryshëm”, pohon Jerliu.

Shembujt e saj janë shndërrimi i dhomave të pacientëve në dhoma të infermierëve ose mjekëve e që për pasojë kanë mbipopullimin e të parave. Pastaj, bërthama e shkallëve te disa reparte e klinika janë mbyllur për qarkullim dhe si pasojë, korridoret qendrore që lidhin ato dhe të cilat me standard koncipohen si gjysmë të pastra (pra, u dedikohen vetëm personelit mjekësor dhe pacientëve), në QKUK janë shndërruar në “korzo” ku defilohet në çdo kohë dhe nga kushdo, paçka që në të dy anët e këtij korridori ka pacientë që psh. sapo janë operuar.

“Me zhbërjen e tillë të standardeve arkitektonike janë duke u shkelur standardet themelore të kujdesit shëndetësor në QKUK. Kjo situatë e largon QKUK-në nga çdo listë e spitaleve moderne në botë, pra, jo për shkak të arkitekturës së keqe, por për shkak të destinimit të keq të hapësirave”, konsideron profesoresha Jerliu.

Pritoret e munguara

Për profesoreshën e Degës së Arkitekturës në UP, riprojektimi i klinikave të QKUK-së nuk është “mision i pamundur”. Megjithatë, mund të bëhet diçka, sikurse krijimi i pritoreve të cilat pothuajse mungojnë nëpër krejt spitalet e QKUK-së.

“T’i mundësosh një personi që të ulet derisa pret shërbimin e kërkuar është kusht vital dhe e drejtë themelore e njeriut. Një njeri i sëmurë që detyrohet të qëndrojë në këmbë ose të sillet vërdallë ndërkohë që psh. vuan dhimbje të nduarduarshme, e bën vuajtjen edhe më të madhe, e bën atë vetë të padurueshëm, të pashpresë, ndoshta edhe të nënshtruar dhe së këndejmi  ndonjëherë edhe agresiv”, thotë Jerliu.

“Një prioritet i dytë janë pjerrinat pranë shkallëve të hyrjeve kryesore, si dhe ashensorët e veçantë dhe funksionalë për pacientët e paraoperativës dhe postoperativës”.

Gjithsesi, arkitektja thotë se duhet të bëhet një studim i detajuar kundrejt kushteve aktuale.

Se një gjë e tillë është e domosdoshme, Jerliu thotë se veprimtaria e një klinike kushtëzohet nga protokolle të caktuara të cilat përkthehen dhe njësohen në standarde arkitektonike. Çdo lëshim, qoftë në protokoll ose standard arkitektonik e deranzhon skemën funksionale të veprimtarisë së një klinike.

“Një përmirësim në kuptimin e standardeve arkitektonike në rastin e QKUK-së duke i krijuar psh. hapësirat e pritjes në afërsi të bërthamave të komunikimit vertikal në secilën klinikë, do t’i shkarkonte korridoret ndërlidhëse midis reparteve dhe klinikave nga personat e rastit”.

“Një moment tejet alarmant është salla e operacionit në Klinikën Emergjente, e cila ndodhet në pikëprerje të dy krahëve spitalor, mu në hyrje të Emergjencës, me dyer që kur hapen, e ekspozojnë hapësirën e reanimimit (bashkë me pacientët në gjendje postoperative) ndaj rreziqeve të infeksioneve dhe po ashtu syve kureshtarë të kalimtarëve të rastit apo familjarëve që presin korridoreve”, thotë Jerliu.

Ajo thotë se në këtë sallë nuk ka ‘bufer’ ose zonë kontakti e cila siguron kalimin gradual nga korridori në hapësirat sterile të sallës, e që është kushti vital i domosdoshëm për funksionim të duhur të sallave të operacionit.

“Kjo është e papranueshme! E përsëris, duke mos i gjykuar investimet që janë bërë në këtë sallë dhe mund të jenë OK, krijimi i ‘buferit’ bashkë me hapësirat e nevojshme, konform standardeve arkitektonike për sallat e operacionit, është prioritet që s’pret”, alarmon arkitektja.

Jerliu thotë se ka biseduar me kolegë të cilët janë mjaft kompetentë në këtë fushë dhe studentë që kanë bërë edhe tema të diplomës në master që për studim kanë pasur objektet spitalore.

Ajo pohon se ka parakushte për të bërë një vlerësim të përgjithshëm të standardeve arkitektonike në QKUK, si dhe potencialit për riprojektim  – apo thënë më mirë – ridestinim të hapësirave, në funksion të përmbushjes së standardeve për këto ndërtesa. /Gazeta Shneta/