lajmi.net

Ndërtimi i xhamisë qendrore nis pas ramazanit

Kryeimami i Republikës së Kosovës, Sabri Bajgora ka deklaruar se pas muajit të Ramazanit, do të fillojë së ndërtuari Xhamia afër Postës në Prishtinë.

Lajme

30/05/2018 13:06

Ky projekt do të kushtojë miliona euro dhe do të financohet nga Turqia. Sipas Bajgorës, asnjë ndikim politik nuk do të ketë pas këtij donacioni të madh.

Në emisionin e përjavshëm në RTK “Intervista me Blerimin”, Bajgora ka folur edhe për kritikat e bëra në raportin e SHBA-së për liritë fetare në Kosovë, ku komuniteti protestant është ankuar se Bashkësia Islame nuk po lejon që të vendoset kryqi në varrezat e Prishtinës. Kryeimami i mohoi këto akuza duke theksuar se është komuna e Prishtinës, që menaxhon varrezat e kryeqytetit.

Në intervistën e javës në televizionin publik, Sabri Bajgora, ka folur edhe për ligjëratat që do të mbajnë në burgjet e Kosovës, imamët e përzgjedhur. Gjithashtu, ai ka komentuar edhe lirimin e imamëve të akuzuar, duke u shprehur se ka pritur që të ketë një kërkimfalje publike, pas përfundimit të këtyre proceseve gjyqësore. Megjithatë, Bajgora, e ka pranuar se ka imamë që devijojnë nga funksionet e tyre në Bashkësinë Islame dhe ndaj tyre janë marrë masa konkrete ndëshkuese.

LM