Mustafa: Asociacioni do të themelohet në harmoni me Kushtetutën

Kryeministri i Kosovës, njëherësh kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka deklaruar se gjatë këtyre muajve ka pasur të arritura të mëdha, por sipas tij, mbesin edhe shumë sfida, siç janë zhvillimi ekonomik, papunësia, krimi i organizuar, etj..

Lajme

28/05/2016 11:09

Mustafa tha se kjo Konventë po mbahet në kohë kur Kosova po korr suksese historike në zhvillimin ekonomik dhe social.

“Ky muaj ka qenë muaj historik dhe ne i gëzohemi këtyre të arriturave. Jam krenar që kisha përkrahjen më të madhe të LDK-së dhe qytetarëve që të drejtoj Qeverinë e koalicionit kur Kosova po gëzon kthesa të mëdha në rrugën e bashkimit evropian. Rezultatet nuk vërehen vetëm, dhe nëse ecet së bashku arrihet shumë më lartë, e kësaj radhe ne kemi bashkëpunuar me gjithë partnerët. Kosova ka edhe sfidat e saj, disa nga to tani i kemi zbutur e me disa jemi ballafaquar edhe si LDK, edhe si koalicion. Në Këshillin e Përgjithshme të LDK-së, është vendosur që LDK të marrë përgjegjësinë për ta drejtuar Qeverinë. Në LDK ka pasur zëra që e kanë kundërshtuar koalicionin, disa me AAK-në, e disa me PDK-në. Kundërshtimet e koalicionit janë vënë edhe duke shtrembëruar rugovizmin se çfarë do të bënte presidenti Rugova po të ishte gjallë. Është hera e parë që LDK e ka marrë përgjegjësinë për të qeverisur vendin dhe për këtë nuk është shumë e lehtë. Ne kemi shumë probleme për t’u ballafaquar dhe sfiduar me to, janë sfidat e zhvillimit ekonomik, papunësia, duhet të ballafaqohemi, kemi krimin e organizuar. Kosova po tregon shembullin më të mirë në luftën kundër ekstremizmit”, tha ai, raporton KP.

Ndërkaq Mustafa ka theksuar se Asociacioni i komunave serbe do të themelohet në harmoni me Kushtetutën e Kosovës.

Kryeministri është ndalur edhe te sistemi arsimor, duke thënë se cilësia e arsimit është sfida prioritare që ia kanë vënë vetës.