Murphy: Besojmë se me ndihmën e Presidentes do të formohet koalicioni i ri

Senatori amerikan, Christopher Murphy ka thënë se ai nuk ka vizituar Kosovën për të dhënë opinionin e tij për krizën politike, apo për të treguar se si do të duhej të dukej qeveria e ardhshme, porse siç ka thënë ai, ka besim se me ndihmën e Presidentes do të arrihet formimi i koalicionit, në përputhje me Kushtetutën dhe aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Lajme

20/10/2014 09:03

Në një intervistë dhënë për të përditshëm Koha Ditore, senatori Murphy ka thënë se tejkalimin e krizës politike duhet ta bëjë vetë lidershipi kosovar, pasi sipas tij, një demokraci e re si Kosova nuk ka kohë të humb sepse e presin sfida.

Murphy ka thënë se liderët politikë kosovarë duhet të lënë motivet personale anash dhe të ulen së bashku të gjejnë zgjidhje.

“Unë nuk kam opinion apo besim të caktuar se si do të duhej të dukej qeveria e ardhshme, por si mik i vërtetë i Kosovës dua t’i shoh politikanët duke i lënë motivet e tyre personale anash, të ulen në tavolinë dhe të arrijnë një zgjidhje për qeverinë e re, ashtu që miqtë e Kosovës jashtë vendit sërish të mund të jenë partnerë të vërtetë aktivë”.

“Unë thjeshtë beso se qeveria duhet të formohet në përputhje me Kushtetutën dhe interpretimet që i ka dhënë kjo Gjykatë Kushtetuese. Ky është parimi që është në thelb të demokracisë amerikane. Shpesh nuk na pëlqejnë vendimet që i merr Gjykata jonë supreme, por ne duhet t’i zbatojmë, t’i respektojmë dhe t’ju bindemi. Kështu që pres se e njëjta gjë do të ndodh edhe këtu”.

Murphy ka thënë se do t’i ofrohet ndihmë presidentes Atifete Jahjaga për të tejkaluar situatën e krijuar, por ka përsëritur se nuk është në interesin e Kosovës e as të SHBA-ve apo miqve të tjerë ndërkombëtarë, që të japin gjykime të vlefshme se si do të duhej të dukej koalicioni i ardhshëm.

“Mendoj se presidentja është personi i përsosur që të ndihmojë në krijimin e qeverisë së re. Ajo nuk ka interes politik në këtë luftë. Po ashtu të gjithë pajtohen se është një nga personat, në mos lideri i vetëm i pakorruptuar në skenën politike në Kosovë. Kështu që kemi besim të madh që nën udhëheqjen e saj do të formohet koalicioni”, ka thënë ndër të tjera senatori amerikan në intervistën dhënë Kohës Ditore.