Molliqaj tregon se cili deputet i Vetëvendosjes ka dorëzuar mandatin që të mos hidhte gaz në Kuvend

"Ai e ka dorëzuar mandatin, ka ardhur në takim me mua në njërin prej lokaleve të Prishtinës sepse ka thënë dua t’i kthehem jetës akademike dhe që nuk do të bie ndesh me ligjin”

Lajme

01/10/2018 22:13

Deputeti i PSD-së, Dardan Molliqaj, ka komentuar deklaratën e nënkryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Besnik Bislimi, që i ka quajtur tradhtarë ata që janë shkëputur muaj më parë nga kjo lëvizje.

Këtu, Molliqaj ka treguar se ka qenë Bislimi që në mandatin e kaluar të Kuvendit të Kosovës, ka dorëzuar mandatin e deputetit pasi nuk kishte dëshiruar që të bëhej pjesë e deputetëve që të hidhnin gaz lotsjellës në sallën e seancave të Kuvendit.

“Nuk më ka bërë përshtypje që dikush më ka cilësuar mua ose PSD-në, tradhtarë. I njoh këta njerëz. Besnik Bislimi e ka dorëzuar mandatin vetëm të mos qes gaz dhe të shkojë në burg. Ai e ka dorëzuar mandatin, ka ardhur në takim me mua në njërin prej lokaleve të Prishtinës sepse ka thënë dua t’i kthehem jetës akademike dhe që nuk do të bie ndesh me ligjin”, ka thënë Molliqaj në Klan Kosova.

“Ai nuk e ka kredibilitetin moral për këtë çështje”.

“Hipokrizia është se një anë përjashton disa njerëz që ke bashkëpunuar dhe në anën tjetër kërkon bashkëpunim me dikë që ta ka bërë “Zajednicën”, që është LDK dhe me dikë që e ka votuar demarkacionin, që sipas LDK është tradhti kombëtare dhe e treta me Isa Mustafën në kohën e të cilit kemi humb njerëz në burgje”.