Model apo utopi, Tiroli Jugor bëhet kanton i Zvicrës

Pak kohë pasi që landi Baden Württemberg i Gjermanisë ka shprehur dëshirën për t`iu bashkuar Zvicrës (së paku sipas sondazheve të gazetave të atjeshme), tash edhe krahina autonome e Tirolit Jugor, në Itali, ka shprehur po këtë dëshirë. 

Bota

28/07/2014 20:16

Kjo nxirret si përfundim nga paralajmërimi i një konference që do të mbahet në vjeshtë të këtij viti, temë e së cilës do të jetë  “Kantoni i Tirolit të Jugut – utopi apo model”, shkruan albinfo.ch.

Konferenca ose “6 Global Form Südtirol” (GFS) do të mbahet në kryeqendrën e kësaj krahine me status special, në Bozen (Bolzano).

Për të ligjëruar në këtë forum janë ftuar politikanë zviceranë, të cilët pritet t`ua shpjegojnë tirolasve funksionimin e sistemit të Zvicrës.

Themeluesi i GFS, Christian Girardi, i cili jeton në Zvicër prej gjashtë vjetësh, thotë se “ne në Tirolin Jugor jemi shumë të afërt me zviceranët për nga kultura. Edhe ne identifikohemi  fuqishëm me malet dhe flasim tri gjuhë të ndryshme”.

Tiroli Jugor, i banuar nga gjermanofonë, gëzon status special autonomie që nga viti 1972, dhe është i ndarë nga Tiroli Verior, në Austri.

Girardi përparësinë më të madhe te Zvicra e sheh në demokracinë direkte të saj. I pyetur nëse Tiroli Jugor me të vërtetë dëshiron t`i bashkohet Zvicrës, ai ka thënë se ai nuk mund të flasë në emër të banorëve të Tirolit, prandaj nuk dëshiron të thotë diçka të gabuar. Por, në vazhdim Giradi megjithatë pohon: “Në të vërtetë, po, disa tirolas me siguri do të ishin në favor që të bëhemi një kanton i Zvicrës”.