Mjekësia Ligjore: Art Kurti u vetëvra

Raporti i fillestar i autopsisë së Mjekësisë Ligjore thotë se aktori dhe zyrtari i komunës së Gjakovës, Art Kurti u vetëvra.

Lajme

25/04/2018 16:48

Burime të “Zërit” brenda Institutit të Mjekësisë Ligjore kanë bërë të ditur se në bazë të raportit fillestarë të autopsisë del që Kurti është vetëvrarë.

Kryeprokurori i Prokurorisë së Gjakovës, Ali Selimaj e ka konfirmuar për “Zëri.info” se Mjekësia Ligjore ka përfunduar autopsinë në lidhje me rastin e vdekjes së 23-vjeçarit, Art Kurtit, ish-aktorit të “O sa mirë”.

Selimaj ka thënë se në vazhdim pritet të bëhet raporti për autopsinë.

Ai tha se duhet të presim disa ditë për raportin e autopsisë.

“Sot është bërë autopsia dhe trupi i pajetë i të ndjerit i është dorëzuar familjarve për ceremoninë e varrimit”, ka thënë Selimaj.

“Hetimet e rregullta zyrtare në rrethanat të cilat ka ndodhur vdekjen zgjasin dy vite. Janë procedura që duhen të hetohen dhe të vërtetohen”, tha Selimaj.

Ndryshe, në lidhje me disa raportime në media se janë duke u hetuar edhe disa fajdexhinj, për të cilët dyshohet se mund të jenë të përfshirë në këtë rast, kryeprokurori Selimaj tha se ka kontaktuar me hetuesit e këtij rasti dhe se nuk ka asgjë të vërtetë në lidhje me këto raportime.

Policia e Kosovës po ashtu njoftoi se shumë shpejt do të dalë me një njoftim lidhje me këtë rast.

23-vjeçari, Art Kurti u gjet i vdekur mëngjesin e djeshëm rreth orës 07:50 në një veturë në rrugën Gjakovë-Goden, në vendin e quajtur Qafa e Zabelit.