Ministri i Drejtësisë në “llupën” e ambasadave

PDK-ja ka propozuar Zenun Pajazitin dhe Gani Kocin për ministër të Drejtësisë. Emrat e tyre po verifikohen edhe nga ambasadat më me ndikim në vend për shkak të ndjeshmërisë së punës së këtij dikasteri qeveritar, posaçërisht pas funksionalizimit të Gjykatës Speciale.

Lajme

24/05/2016 07:50

Cili prej tyre do ta kalojë “testin”, do ta zëvendësojë Hajredin Kuçin

Zenun Pajaziti dhe Gani Koci janë dy emrat e propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) për ta drejtuar Ministrinë e Drejtësisë, pasi që ministri aktual Hajredin Kuçi është paralajmëruar se do ta mbajë vetëm postin e zëvendëskryeministrit të parë.

Sipas burimeve të gazetës “Zëri”, për shkak të ndjeshmërisë së punës në Ministrinë e Drejtësisë dhe bashkëpunimit të saj me Gjykatën Speciale, PDK-ja ia ka dërguar këto dy emra të zyrtarëve të saj ambasadave më me ndikim në vend, në mënyrë që të zgjidhet njëri prej tyre, pasi që të bëhen verifikimet e nevojshme.

“Gani Koci dhe Zenun Pajaziti janë dy propozimet e Partisë Demokratike të Kosovës për ministër të Drejtësisë. Arsyeja e vonesës pse s’po emërohen ende, është se ministri i Drejtësisë po verifikohet nga ambasadat më me ndikim në vend”, ka thënë një burim i gazetës “Zëri” brenda Qeverisë së Kosovës.