Milani e do Ancelottin

Milani është duke menduar ta rikthejë trajnerin Carlo Ancelotti. Sipas mediave italiane, presidenti Silvio Berlusconi e ëndërron ish trajnerin e tij, me të cilin Rossoneri patën një periudhë të suksesshme.

Sport

15/05/2014 22:24

Tema e ditës në Itali sot ishte rikthimi i mundshëm i Carlo Ancelottit në Milan. Sipas të së përditshmeve italiane, La Stampa, Il Corriere della Sera e Il Corriere Dello Sport, Rossoneri janë duke e kërkuar zëvendësuesin e Clarence Seedorfit për sezonin tjetër dhe ëndërr e presidentit Silvio Berlusconi është trajneri aktual i Real Madridit.

“Milani është duke e pritur rezultatin e finales së Ligës së Kampionëve, për ta nisur sulmin”, ka shkruar La Stampa, e cila insiston se humbja eventuale nga Atlético de Madrid do t’ia hapte dyert trajnerit italian për ta drejtuar ekipin e tij të zemrës.

Sipas mediave italiane, problemi më i madh do të jetë shuma që duhet ta paguajë Milani për shkëputjen e kontratës së Seedorf: 5 milionë euro.

Nëse dështon pista Ancelotti, disa prej drejtuesve të Milanit e preferojnë Inzaghin, i cili aktualisht me sukses po e drejton ekipin e të rinjve.