Miku i Bajram Rexhepit: Tri herë kam qenë para pushkatimit, por e kam pasur më lehtë se sot

Kirurgu Faik Bllata, që ka qenë edhe mik i afërt i ish-kryeministrit, Bajram Rexhepi ka thënë se është pikëlluar shumë kur ka marrë lajmin për vdekjen e tij.

Lajme

21/08/2017 18:16

“Gjatë luftës kam qenë tri herë para pushkatimit, e kam pasur më të lehtë se sot kur morra lajmin për vdekjen e Bajram Rexhepit”, ka thënë Bllata, njofton Klan Kosova.

“E kam pas shok e kam pas vëlla, prej kur kemi filluar studimet më pas kemi bërë shumë intervenime të përbashkëta kirurgjike”, ka pohuar ai në Info Magazine.

“Dr. Bajram Rexhepi, i madhi Bajram ka qenë kryeministri i parë i shqiptarëve të Kosovës dhe për këtë në libra do të mësojnë fëmijët gjeneratë pas gjenerate”.

Bllata thotë se nuk mund të gjenden fjalët e duhur që të përshkruhet figura e Bajram Rexhepit, derisa i mbushen sytë me lot.

“Është vështirë të gjenden fjalët e të flitet për burrërinë e tij, punën, patriotizmin, ai ka qenë njeri komplet i fjalës i besës, i dashur për popullatën”.

“Kemi pas të vrarë e të plagosur në vitet 89 e 90 dhe asnjëherë nuk jemi lodhur sepse e dinim se po punonim për popullin tonë”, ka shtuar ai, derisa ka folur për punën e përbashkët që kanë bërë me Rexhepin.

“Kur e largua nga puna, i thashë se edhe unë po largohen pasi nuk punoj pa ty”.

“Por ai më bindi që të kthehem në punë sepse më tha i duhemi popullit tonë.”.

Kirurgu Bllata ka thënë më tej se ka qenë familjar i Rexhepit.

“Kam qenë vëlla i tij. Kam shkuar shpesh te ai.

“Është e pamundur të përshkruhet trimëria e tij, zemërgjerësia e tij dhe afërsia me pacientët”, ka shtuar ai.