Mikrofinancat, kredi me normë interesi deri në 31,16 për qind

Normë interesi deri në 31,16 për qind janë duke aplikuar aktualisht institucionet mikrofinanciare që operojnë në vendin tonë.

Lajme

05/10/2017 08:58

Agjencia për Financim në Kosovë (AFK) është institucion mikrofinanciar jobankar i themeluar nga programi “Mercy Corps” për zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

Në uebfaqen e këtij institucioni mikrofinanciar thuhet se misioni i AFK-së është përmirësimi i kushteve të jetesës në Kosovë, duke ofruar një qasje ndaj shërbimeve të qëndrueshme financiare për mikrondërmarrje dhe ndërmarrje të vogla.

Mirëpo normat e interesit që aplikon AFK-ja e pamundësojnë një gjë të tillë.

“Për kredi për biznes nga 50 deri në 25 mijë euro norma efektive e interesit është nga 17,94 deri në 31,16 për qind, për kredi për renovim norma efektive e interesit është 28,6 deri në 31,16 për qind, për kredi për agrikulturë norma efektive e interesit është nga 19,44 deri në 29,21 %”, janë këto të dhëna të prezantuara në uebfaqen e këtij institucioni mikrofinanciar që operon në vendin tonë.

Por, norma të ngjashme si kjo aplikojnë edhe shumë institucione tjera mikrofinanciare që janë duke operuar në Kosovë.

Në raportin e fundit të stabilitetit financiar të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) thuhet se norma mesatare e interesit në kreditë e sektorit mikrofinanciar në qershor 2017 u rrit lehtësisht në 22,1 për qind.

Aty më tutje thuhet se norma e interesit për kreditë ndaj ekonomive familjare u rrit për 0,9 për qind, ndërsa norma e interesit për kreditë ndaj ndërmarrjeve u karakterizua me rënie prej 0.2 për qind.