MI5: Al Qaeda po planifikon sulme masive kundër Perëndimit

Shefi i spiunazhit britanik, Andrew Parker, ka deklaruar të premten se sulmi terrorist ndaj revistës satirike “Charlie Hebdo” në Paris, është një tregues i tmerrshëm i kërcënimit nga terrorizimi me të cilin po përballet Evropa.

Bota

09/01/2015 10:04

I pyetur të komentojë sulmin terrorist në Paris dhe kërcënimet e mundshme nga sulme të këtilla në Britaninë e Madhe, shefi i Agjencisë britanike të inteligjencës MI5 ka thënë se policia dhe shërbimi sekret britanik kishin parandaluar tre komplote terroriste në Mbretërinë e Bashkuar në muajt e fundit.

“Kërcënimi nga një sulm terrorist në Britani të Madhe është në rritje, ne do të bëjmë gjithçka është e mundur për t’iu ofruar siguri të gjithë qytetarëve britanikë, porse nuk duhet pritur nga shërbimet e sigurisë për të ndaluar çdo komplot”, ka thënë kreu i MI5, njofton BBC, raporton lajmi.net.

Parker ka thënë se kërcënimi është bërë më i komplikuar për shkak të luftës në Siri dhe numrit të madh të britanikëve që kanë shkuar atje për të luftuar dhe kthehen në shtëpi me një “ideologji të përdredhur”.

Shefi i MI5, Andrew Parker

Ai ka thënë se rreth 600 shtetas të Britanisë së Madhe kanë shkuar për të luftuar në Siri, dhe se grupi militant i “Shteti Islamik” e kërcënon Mbretërinë e Bashkuar në mënyra të ndryshme, duke përfshirë edhe mediat sociale, përmes të cilave, siç ka thënë ai, i provokojnë britanikët.

Parker ka paralajmëruar se një grup i terroristëve të Al-Qaedas në Siri është duke planifikuar sulme masive kundër Perëndimit, dhe se në 15 muajt e fundit, sipas tij, rreth 20 sulme terroriste në mbarë botën janë drejtuar ose provokuar nga ana e këtyre grupeve që po luftojnë në këtë vend të përfshirë nga lufta civile që prej vitit 2011.

“Por, edhe pse ne nuk mund të jemi të vetëkënaqur, po përpiqemi të bëjmë maksimumin tonë.  E dimë se ne nuk mund të shpresojmë për të ndaluar çdo gjë, pasi aktet terroriste kanë ndryshuar. Komplotet e mëdha kemi aftësi të jashtëzakonshme t’i parandalojmë, por shqetësohemi nga sulmet e ashtuquajtura ‘të ujkut të vetmuar’”, ka thënë shefi i MI5.   

“Sulmet e tilla janë në thelb të vështira për tu parandaluar nga agjencitë e zbulimit. Këto sulme shpeshherë janë akte të individëve të paqëndrueshme, të motivuar nga propaganda terroriste. Pra, këto sulme, shpeshherë kryhen në mënyrë spontane, pa ndonjë planifikim paraprak. Megjithëkëtë, të gjitha shërbimet britanike të sigurisë janë në gatishmëri për të mbrojtur qytetarët dhe kjo është detyra jonë e përhershme”, ka thënë ndër të tjera Parker. /lajmi.net/