Messi theu tabunë ndaj Chelseat, ja kujt ende nuk i ka shënuar gol

Tani, nëse Barcelona kalon turin, Messi mund të thyejë një tjetër tabu, atë angleze.

Sport

21/02/2018 12:17

U deshën 8 ndeshje e 75 minuta, por në fund Messi ia doli dhe theu edhe tabunë “Chelsea”, skuadër që e kishte ndeshur 8 herë para kësaj të marteje, por që nuk i kishte shënuar dot.

Tani Messit i mbeten edhe 11 skuadra me të cilat është përballur pa arritur t’u shënojë, 2 janë italiane, Interi dhe Udineze, 4 spanjolle, bëhet fjalë për Cadis, Murcia, Girona dhe Xerez, Liverpuli në Angli, Benfika në Portugali, Rubin Kazan në Rusi dhe Al Sadd i Katarit.

Një detaj interesant: në një kohë kur Milani është ndër viktimat e preferuara të Messit (i ka shënuar 12 gola përgjatë karrierës), Interi mbetet një tabu, një ndër të paktat skuadra të mëdha që argjentinasi nuk ka arritur t’i shënojë.

Në sezonin 2009-2010, atë të triumfit të trefishtë të zikaltërve, Interi në gjysmëfinale eliminoi pikërisht Barcelonën, me numrin 10 që u përball me skuadrën e Murinjos pa mundur në asnjë rast të tundë rrjetën e Julio Sezar, transmeton “SuperSport.al”.

Tani, nëse Barcelona kalon turin, Messi mund të thyejë një tjetër tabu, atë angleze. Liverpooli praktikisht është në çerekfinale, pasi ka fituar me goleadë në takimin e parë me Porton dhe shorti mund ta vërë argjentinasin përballë skuadrës së Jurgen Klopp.