Messi e do Agueron në Barcelonë

Lionel Messi i ka këshilluar drejtuesit e Barcelonës që ta transferojnë Sergio Agueron në Camp Nou. Gjithashtu, ylli argjentinas, i cili do ta vazhdojë shumë shpejtë kontratën, shpreson që portierit Pinto t’i vazhdohet kontrata.

Sport

07/05/2014 13:36

Barcelona dhe Luonel Messi e kanë bërë një hap të rëndësishëm drejt vazhdimit të kontratës, ndërsa Jorge Messi, Javier Faus e Antoni Rossich pritet të takohen sërish shumë shpejtë.

Zëra pranë klubit spanjoll kanë konfirmuar se takimi i parë në mes të babait të lojtarit, zëvendëspresidentit ekonomik dhe drejtorit gjeneral të klubit, ka qenë mjaft pozitiv, transmeton TV3.

Përpos aspektit ekonomik, në takim është folur edhe për aspekte të tjera. Messi është mjaft i interesuar për projektin dhe ua ka propozuar drejtuesve të klubit që ta transferojnë sulmuesin Kun Agüero dhe t’ia vazhdojnë kontratën portierit Pinto.

Sigurisht, kjo është vetëm një këshillë, e jo një imponim, sipas informatave që ka televizioni katalunas.

Në një të ardhme të afërt, Barcelona do ta zyrtarizojë kontratën e re të Messit, i cili pritet të paguhet 20 milionë euro në vit, plus tre të tjerë, varësisht prej arritjes së objektivave.