Merkel, për hërë të pestë, gruaja më e fuqishme në botë

Kancelarja gjermane, Angela Merkel është ëedhe më tutje, për të pestin vit rresht gruaja më e fuqishme në botë, para Hillary Clinton dhe Melinda Gates, tregon lista e revistës Forbes, e publikuar sot.

Bota

26/05/2015 23:57

Presidentja e Bankës Qendrore të SHBA-ve (FED) Janet Yellen ka rënë nga vendi i dytë në vendin e 4, kurse në vendin e pestë është Mary Barra, drejtoresha e përgjithshme e kompanisë General Motors.

“Merkel në nëntor të vitit 2014 ka fituar mandatin e tretë në krye të shtetit më dinamik të Evropës”, sqaron Forebs, dhe thekson se ajo ka mposhtur recesionin gjatë krizës botërore financiare, kurse tash është në fokus të përpjekjeve për të ndihmuar Greqinë për të dalë nga kriza.

Sipas Forbes, në vitin 2016 atë mund ta rrezikojë vetëm Hillary Clinton, e cila vitin e shkuar ishte në vendin e gjashtë në listën e 100 grave më të fuqishme të botës.

Në këtë listë sivjet kanë hyrë 19 emra të rinj, në mesin e të cilave edhe këngëtarja amerikane Taylor Swift, e cila me moshën e saj 25-vjeçe është më e reja në këtë listë.

Në listë gjenden tetë shefe të shteteve si dhe 15 gra miliardere.

Lista e shtatë grave më të fuqishme sipas Forbes:

  1. Angela Merkel
  2. Hillary Clinton
  3. Melinda Gates
  4. Janet Yellen
  5. Mary Barra
  6. Christine Lagarde
  7. Dilma Rousseff